Kryeministri Edi Rama tha se në 2030 na duhet një parti që do të jetë fytyra e forcave të progresit, forcave të shoqërisë civile, forcave të punës, të intelektualëve.

Rama tha se sot PS ka 100 mijë anëtarë, votohet nga 700 mijë qytetarë, por ne duhet të jemi partia e 1 mln shqiptarëve aktivë, në një kohë kur do të votojnë edhe shqiptarët e Diasporës.

“Sot nuk matemi me ku ishim dhe ku jemi, por ku duhet të jemi në 2030”, tha Rama.

Kreu socialist tha se platforma “deputeti që duam” nuk është një rrugë e shkurtër, që nis sot dhe përfundon kur dikush mund të ulet në sallën e Parlamentit.

Në këtë kuadër, ai tha se kjo mund të jetë një rrugë e shkurtër për një pakicë apo për disa, por është një rrugë e gjatë për shumicën përderisa sot kemi qindra e qindra aplikantë.

“Elisa Spiropali nuk ka qenë në listën e deputetëve që herën e parë, edhe pse ishte shumë e angazhuar dhe kishte shumë më tepër kohë në angazhimet e PS-së krahasuar me të gjithë ju. Por rritja në eksperiencë, dije, angazhime, bën të vetën, sikundër mund të duhej shumë më tepër kohë për të qenë atje ku është.

Politika fatkeqësisht është bërë sinonimi i së keqes, jo vetëm këtu, por në të gjithë botën. Jo se politika nuk bën keq kur bie në duart e së keqes, por politika ka bërë të gjithë gjërat që kanë ndihmuar njeriun për tu organizuar në shoqëri dhe më pas për të organizuar shoqëritë”, tha Rama, duke përmendur këtu se pa organizime të tilla nuk do të ekzistonte as BE, as Shtetet e Bashkuara, as të drejtat e grave, dhe shumë të drejta të tjera, që sot i kemi në shoqëritë demokratike.

Kryeministri tha se sa më shumë duar të pastra dhe njerëz të mirë të angazhohen në politikë, aq më shumë gjëra të mira mund të bëjë politika.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb