Kryeministri Edi Rama tha sot në konferencën e fundvitit me gazetarët se qeveria shqiptare është në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe, për implementimin e survejimit të trafikut me kamera.
Rama theksoi se Qendra e Monitorimit të Trafikut është nyja teknologjike e transportit në sensin digjital.
“Ajo që është qershia mbi tortë, është Qendra e Monitorimit të Trafikut, e cila është nyja teknologjike e transportit në sensin digjital dhe do të jetë e pajisur me sistemin më modern në botë për monitorimin e trafikut”, shtoi Kryeministri.
“Kemi punuar dhe jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilat do të bëjmë një implementim të shpejtë të survejimit të trafikut me kamera. Kamera të pajisura me fjalën e fundit të Inteligjencës Artificiale”, vuri në dukje ai.
“Çdo makinë, person a gjallesë tjetër që do të kryqëzojë apo kapërcejë rrugën do të jetë në kohë reale i monitoruar”, tha Rama.