Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë ka theksuar se Reforma në Drejtësi dhe krijimi i SPAK-ut janë fryt i vizionit dhe vullnetit të hekurt politik të Partisë Socialiste, të nisur para shumë vite.

Rama tha se disa përfaqësues të Partisë Socialiste janë përballur me drejtësinë si rezultat i punës së SPAK-ut, dhe shtoi se kjo tregon se institucionet e reja të drejtësisë funksionojnë dhe janë të pavarura.

Pjesë nga fjalimi i Ramës: Po, ka ndodhur në të kaluarën që përfaqësues të Partisë Socialiste, në kuvend dhe në pushtetin vendor, të dalin të lidhur me vepra penale jashtë vendit në të kaluarën e tyre, dhe janë dëbuar nga politika, si rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit; një ligj që e kam votuar edhe unë me vullnet të lirë, pa më detyruar askush.

Sepse mirë a keq, nuk ka njeri apo forcë në këtë botë, të më detyrojë dot mua të bëj një gjë që nuk dua ta bëj.

Ka ndodhur edhe që bashkëpunëtorë të mitë, ministra, deputetë, kryetarë bashkie, deri zëvendës kryeministri, të jenë kapur nga rrjeta e SPAK-ut.

Por, SPAK-u dhe e gjithë Reforma në Drejtësi janë në radhë të parë, frytet e një vizioni strategjik dhe vullneti të hekurt politik, që afërmendsh pa Partinë Socialiste dhe pa mua në krye të saj, as do të kishin ardhur fare në jetë.

Kurrë, kurrë, kurrë dot, nëse nuk do të isha unë i pari, qysh përpara se ne të vinim në qeveri, që e kisha ndarë mendjen t’i hyja atij deti në këmbë, bashkë me skuadrën udhëheqëse të Partisë Socialiste, asokohe në opozitë me një pushtet të mosozotshëm në çdo drejtim.

Dhe kjo nuk është historia sipas meje, sot që disa sukseseve të drejtësisë së re u kanë dalë baballarët jashtë shtetit, po një histori e nisur vite përpara fitores sonë në zgjedhjet politike të vitit 2013 dhe një histori e dokumentuar, në letra, propozime, proces-verbale, plane e programe të Partisë Socialiste.

Përrallën me amerikanë dhe europianë, që e sollën drejtësinë e re megjithë SPAK-un, me aeroplan ose vapor nga matanë oqeanit apo detit Adriatik, mund ta tregojë kush të dojë, kujt të dojë, sa herë të dojë. Po mua jo. Jo mua, sepse unë jam dëshmitari numër 1.

Më kanë bërë vjedhës e blerës votash dhe gati 800 mijë vota shqiptarësh që votojnë për mua dhe Partinë Socialiste, i kanë bërë vota të krimit.

Jo, krimi nuk vendos asgjë më në këtë Shqipëri që qeveriset nga Partia Socialiste. Në këtë Shqipëri vetëm populli e askush tjetër vendos, qoftë kush e udhëheq karvanin dhe qoftë kush i leh karvanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: