Kryeministri Edi Rama ka folur sërish sot për lirimin nga burgu të Lulëzim Berishës, i akuzuar për disa vrasje. Duke replikuar me komentuesit në “Facebook” të cilët i kërkuan sqarime pse Bashkia e Durrësit doli garant për punësimin e tij, Rama tha se Lulëzim Berishën nuk e liroi Vangjush Dako por gjykatësit, raporton “BalkanWeb”. Sipas shefit të qeverisë pretendimet se kryebashkiaku ka gisht në lirimin e ish-kreut të Bandës së Durrësit janë shpifje që i sajon Partia Demokratike. Reagimi i tij erdhi fill pasi një komentues i ka shkruar në “Facebook se “dëshira për ta bërë këtë vend duhet të jetë reale dhe jo duke bërë shoë, ku e ke Lulzim Berishën, një vrasës që e nxjerrin nga burgu me ceremoni dhe e presin si hero dhe tjetrin në sarandë që i çoni policin si kofini pas të vjelit. Kështu nuk të fut njëri as në Afganistan dhe jo me në Europë, duhet të presim dhe shumë”.
Por në replikën e tij, siç raporton “BalkanWeB”, Rama shprehet se “Lulëzim Berishën e nxorrën nga burgu gjykatësit dhe Lulëzim Bashës që të tregon ty përralla me gogolin e qeverisë, thuaji si ka mundësi që e mban bllokuar vettingun për ata gjykatës dhe nuk e hap hiç gojën kundër tyre, po shpif për kryetarin e bashkisë së Durrësit sikur e ka fajin ai që doli Lulzimi tjetër nga burgu?! Kështu që nëse e do aq shumë SHQUP-in sa të të marrin për budalla është e drejta jote, po nëse s’do që të të marrin për budalla atëhere kuptoje që fajin e kanë gjykatësit jo gogoli”.
Vendimi për lirimin e ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulëzim Berishës solli reagimin edhe të ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu, i cili tha se lirimi i tij nga gjykatat e korruptuara ishte i papranueshëm.
“Birn” dhe “Zëri i Amerikës” publikuan pak ditë më parë të plotë vendimin e lirimit të Lulëzim Berishës, i njohur si kreu i Bandës së Durrësit.
Ndërkohë që për lirimin e të fortit të Durrësit, ishin akuzuar vetëm gjykatat me sa duket, gisht në këtë lirim ka patur edhe Bashkia e Durrësit. Vetë kryebashkiaku Vangjush Dako, i drejtohej gjykatës për lirimin e Lul Berishës. Ai shkruan në një dokument të bashkangjitur vendimit, se Lul Berisha e ka familjen në një gjendje të vështirë ekonomike. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin kryesisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha.
rama 1

Replikat e Ramës me komentuesit

KOMENTUESI: Dëshira për ta bërë këtë vend duhet të jetë reale dhe jo duke bërë shoë, ku e ke Lulzim Berishën, një vrasës që e nxjerrin nga burgu me ceremoni dhe e presin si hero dhe tjetrin në sarandë që i çoni policin si kofini pas të vjelit. Kështu nuk të fut njëri as në Afganistan dhe jo me në Europë, duhet të presim dhe shumë.

EDI RAMA: Lulëzim Berishën e nxorrën nga burgu gjykatësit dhe Lulëzim Bashës që të tregon ty përralla me gogolin e qeverisë, thuaji si ka mundësi që e mban bllokuar vettingun për ata gjykatës dhe nuk e hap hiç gojën kundër tyre, po shpif për kryetarin e bashkisë së Durrësit sikur e ka fajin ai që doli Lulzimi tjetër nga burgu?! Kështu që nëse e do aq shumë SHQUP-in sa të të marrin për budalla është e drejta jote, po nëse s’do që të të marrin për budalla atëhere kuptoje që fajin e kanë gjykatësit jo gogoli

KOMENTUESI: Më vjen keq që me drejtohesh si të jem një kamikaz i PD-së, po të shkruaj si një njëri i cili para tre vitesh të mbeshteti ty dhe si kryeministër dua që ky vend i mrekullueshëm që kemi në thonjëza (i mallkuar) nga politikanët tanë një ditë të jetë i njëjtë me vëndet europiane. Kurse për PD-në juve i keni në parlament e ku ta di unë, atyre tregojani dhëmbët jo mua. Gjithë të mirat.

EDI RAMA: Nuk të thashë je kamikaze, të thashë mos i dëgjo se të bëjnë për budalla dhe u nisa nga çfare shkruajte që është fiks ajo që thonë ata! Ndërsa sa për vendin nuk është aspak i mallkuar dhe edhe falë mbështetjes tënde ne po e ndryshojmë dita-ditës, hap pas hapi, sepse nuk bëhen dot në tre vjet çfare s’u bënë në 25 apo jo?! Ka ende shumë për të bërë, por besim, kurajo dhe punë punë punë, jo llafe në hava! Respekt

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb