VLORË- Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Vlorë ku ka shpërndarë një pjesë të lejeve të legalizimit, nga 250 të tilla për banorët e këtij qyteti. Rama u shpreh se “jemi të gatshëm që ti japim një përgjigje konkrete dhe një zgjidhje përfundimtare një shqetësimi dhe një ëndrre që për të gjithë ju njerëzit e zakonshëm që keni ndërtuar jo për biznes ishte bërë një mision i pamundur”. Sipas kryeministrit, legalizmi u ka dhënë vlerë shtëpive të këtyre banorëve që kanë aplikuar prej shumë vitesh.

“Për ne ky proces është i një rëndësie të madhe jo vetëm kombëtare por të një ndarje nga një periudhë kaosi dhe rrënimi dhe ngatërresash të pafundme për çështjen e pronës. Jemi të bindur se çuarja përpara dhe realizmi i këtij procesi për të gjithë ata që kanë ndërtuar për tu strehuar, shtëpinë e tyre në zonat informale ka një rëndësi të veçantë për ekonominë kombëtare. Se për të ndërtuar ato shtypi keni shpenzuar çdo kursim, keni hequr edhe nga buka e gojës për të vendosur tulla e tjegulla. Është një pasuri që nëse nuk hipotekohet nuk ka asnjë vlerë, por nëse hipotekohet është një pasuri e paluajshtshme”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se ky proces është edhe një interes privat por edhe një interes publik. “E di që keni pritur nga 10 vjet, 7 vjet e 5 vjet dhe mund të prisni dhe 10 minuta të tjera, por po vijojmë me dhënien e disa prej 250 lejeve që japim sot në Vlorë. Të gjithë duhet të kenë besim të plotë se ndërtimet që janë në proces legalizmi, shtëpitë që janë në zonat informale do të legalizohen pas asnjë dyshim”, tha Rama dhe më pas vijoi me shpërndarjen e lejeve.

Rama u shpërndan leje legalizimi banorëve: Ju në Vlorë kur keni emocione në vend të tërhiqeni, godisni

Rama: Urdhëro Shako se e pashë që të ndriti buza.

-Jam shumë i gëzuar, kam 8 vjet lart e poshtë. Kam që në 2000, kam paguar lekë sa nuk mbahen mend.

Rama: Ferdi Malo, ja ka bërë babai shtëpinë, ky vjen e gjen gati. Me flokë me xhel, me pantallona sipas modës.

Rama: Tomor Vreto, urdhëro

-Në 2006 e kam bërë aplikimin.

Rama: Flautin Salaj

– Faleminderit zoti kryeministër dhe mbarë Shqipëria siç ka nisur.

Rama: Vladimir Memushaj, pa një Memushaj nuk bëhet asgjë, merre. Emrin ta kanë vënë për nder të Leninit me siguri.

-Që në 2006 kam që kam aplikuar. Tani s’kam paguar, as kafe.

Rama: Feti Kapaj, hajde merre kudo që të jesh. Pas marrjes së lejes në dorë do shkoni tek hipoteka të merrni titullin e pronësisë që të jeni pronarë të ligjshëm.

Rama: Ferdinand Beqaj, Vladimir Beqaj, dy vëllezër nga një godinë.

– Kam paguar para se ishte pronë e shtetit.

Rama: Ata që nuk janë në tokën e tyre, paguajnë për të mos patur yt bir e stërnipërit probleme, që tu thonë ik tani se nuk është prona jote.

Rama: Jaho Jaho,

– Falënderoj Artan Lamen për organizimin. E kam bërë aplikimin në 2005.

Rama: Jetnor Bejaj, avash kujdes se sikur po bëhesh gati të më gjuash

– Kam Emocione të shumta.

Rama: Ju këtë keni në Vlorë kur keni emocione në vend të tërhiqeni, godisni.

Rama: Servet Felaj

– Ju falënderoj juve, qeverinë, suksese dhe ju ndihmoftë Zoti.

Rama: Të rroftë dhëndrri që të ka bërë me shtëpi dhe bravo vajza çka marrë.

 

E pranishmë gjatë dhënies së lejeve të legalizimit, Deputetja e Vlorës, Valentina Leskaj tha se ky qark është një nga më problematikët për sa i përket legalizimeve por qeveria i ka drejtuar vëmendjen maksimale.

“Mendoj se Vlora është vendi që ka pasur më shumë probleme për ndërtimet dhe legalizimet. Po besoj se me kujdesin e qeverisë do të avancojë më shumë”, tha Leskaj.

Më pas kryeministri Rama ka lexuar emrin e një qytetari tjetër që përfiton lejen e legalizimit, me emrin Zaho Nazaj. Rama ka kërkuar t’ia dorëzojë drejtpërdrejt për shkak edhe të emrit të këtij qytetari, por lejen e ka marrë një i afërm i tij.

“Këtë leje dua ta dorëzoj vetë, besoj se do më kuptoni. Zaho Myfit Nazaj. Doja ta takoja Zahon sot, të fala Zahos”, i ka thënë kryeministri të afërmit të Zahos.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb