TIRANË- Emocionet e ditës së djeshme të përballjes Shqipëri-Serbi, duket se vazhdojnë ende edhe për kryeministrin Edi Rama, i cili kujton edhe njëherë shansin e fundit që ka Kombëtarja shqiptare për t’u kualifikuar për Euro 2016. Rama shkruan në Facebook se ekipin shqiptar e pret sprova e fundit në grup, ndeshja me Armeninë, ose e parafundit pasi sprova finale është në playoff.

Kryeministri kujton se është koha për të qenë së bashku me Kuqezinjtë, përballja e të cilëve me Armeninë do të transmetohet sërish në parkun e Kryeministrisë, ndërsa paralajmëron se ata që nxorën fjalë të tepërta zemërimi ndaj Kombëtares nuk janë të ftuar.

“Me kuqezinjtë në sprovën e (para)fundit. Është e (para)fundit sepse është e fundit në grup, për të shkuar direkt në Francë me një fitore dhe, në rast barazimi ose humbjeje, është e parafundit sepse Shqipërinë e pret sprova finale në playoff me të tretën e një grupi tjetër. Dhe pas dy humbjeve të minutave të fundit, të dielën në 18.00, është koha për të qenë përsëri së bashku me Kuqezinjtë në Parkun e Kryeministrisë në përpjekjen e vështirë po aspak të pamundur, të kualifikimit direkt në Finalet e Europianit. Kush ka shfryrë fjalë të tepërta zemërimi ndaj Kombëtares pas ndeshjes së mbrëmshme nuk është i ftuar! Kush është kuqezi i vërtetë Kombëtaren e do njësoj kur fiton e kur humbet dhe mund të zemërohet me të vetëm kur Kuqezinjtë nuk japin gjithçka nga vetja në fushën e lojës. Por kjo deri tani nuk ka ndodhur kurrë me këtë Kombëtare, e cila shkon apo nuk shkon në Francë, është ngjitur në majën e historisë së futbollit shqiptar. ‪#‎ForcaShqipëria”, shkruan Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb