Kryeministri Edi Rama në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës tha se shqiptarët në Gjermani po i kthehen nënshtetësisë së tyre amë.
Rama deklaroi se Gjermania tashmë lejon dy nënshtetësinë dhe shumë shqiptarë duan të kenë edhe atë shqiptare. Sipas tij, Ministria e Jashtme dhe e Brendshme duhet të punojnë më tepër për të garantuar këtë shërbim.
“Në këtë kontekst dua të prek republikën gjermane, e cila i ka hapur rrugëve shqiptarëve të kenë dy nënshtetësi. Ndryshe nga më herët kur shqiptarët kërkonin të merrnin nënshtetësinë gjermane, tani po kthehen te ajo shqiptarja. Në këtë kuptim, Ministria e Brendshme dhe e Jashtme do t’u ofrojë ndihmë të gjithë shqiptarëve.
Janë bërë konstruksione të konsullatave. Mbase duhet të përdorim edhe metodat e syrit të keq, që mund të kenë mbetur në ndonjë cep nga koha e shkëmbimit të letrave me kod sekret. Është bërë një betejë e madhe për të hequr kontaktin sy më sy. Më parë, personi ishte i detyruar që të shkonte deri në konsullatë fizikisht, kur e kishte larg. Po luftojmë fort që çdo shërbim të jetë online”, deklaroi Rama.
(Balkanweb)