DURRËS- Kryemininistri Rama ka qenë turisti i vetëm sot në aktivitetin e organizuar për rihapjen e Muzeut Arkeologjik në Durrës. Ndërsa pothuajse të gjithë të pranishmit ishin veshur si për një eveniment serioz, Rama kishte zgjedhur të vishej sport. Kryeministri ka shpjeguar edhe arsyet përse ishte veshur ndryshe nga të tjerët.

“Dua t’i shpjegoj gjithë të pranishmëve që kanë ardhur të veshur si për një shfaqje të rëndësishme operistike, arsyen pse jam unë i veshur kështu. Sot në mëngjes telefonova kryetarin e Bashkisë dhe i thashë çfarë veshje duhet dhe më tha si turist dhe unë jam turisti i vetëm këtu”, tha Rama, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij Linda Rama në këtë aktivitet.

Kryeministri ka shkruar më vonë në Fb, përshtypjet e tij mbi vizitën në Muzeun Arkeologjik. “Më në fund, pas shumë viteve i mbyllur dhe me mbi 3000 objekte të lëna në mëshirën e fatit ashtu si gjithë thesari i paçmueshëm i atdheut tonë, Muzeu Arkeologjik i Durrësit çeli sot dyert i rilindur falë vullnetit të qeverisë e pasionit të një skuadre fantastike restauratorësh. Nga sot kemi një muze kombëtar, që rrezaton në të gjithë shkëlqimin e saj trashëgiminë e pasur për të cilën krenohemi si njerëz të këtij vendi. Ky muze e rrit më tej Durrësin e transformimeve që po ndodhin falë skuadrës së Rilindjes.”

RAMA NE GJIROKASTER, NDALON NE PARKUN E VIROIT

Në vazhdën e udhëtimit të tij turistik,i shoqëruar nga ministrat Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj, Rama shkoi sot në Gjirokastër ku inspektoi ecurinë e disa projekteve të rëndësishme për qytetin.

Kryeministri inspektoi punimet për ndërtimin e Parkut të Viroit në Gjirokastër. Shëtitorja në Parkun e Viroit prej 3 kilometra në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, shtrihet përreth Liqenit të Viroit.

Me këtë investim synohet të rivitalizohet Parku si destinacion turistik, por edhe të kthehet në një hapësirë me funksionalitet social për qytetarët e Gjirokastrës. Punimet kanë përfshirë rikonstruksionin apo ndërtimin nga e para të 7 segmenteve, ku kombinohen rrugët për automjete me trotuaret për këmbësorë, pista e vrapimit dhe korsia për biçikleta. Një amfiteatër i hapur, fusha e basketbollit dhe ambiente të tjera për aktivitete sportive ndërtohen për herë të parë në hapësirat e Parkut.

Një tjetër projekt i rëndësishëm për Gjirokastrën është rikonstruksioni i plotë i rrugës hyrëse të qytetit, në segmentin nga Parku i Viroit deri tek Varrezat e Dëshmorëve. Projekti parashikon rikonstruksionin dhe zgjerimin e rrugës ekzistuese, realizimin e sinjalistikës horizontale e vertikale, realizimin e rrjetit të kanalizimit të ujërave të shiut etj. Projekti rikoncepton edhe hapësirën. Në krah të rrugës do të ndërtohet një pedonale e veshur me pllaka guri dekorative, pistë vrapimi dhe korsi për biçikletë. Ky investim do të bëjë Gjirokastrën me një hyrje moderne, duke ruajtur me fanatizëm vlerat tradicionale të saj.

RAMA: GJIROKASTRA KA NISUR TE MARRE FRYME

Rama tha në fund të vizitës: “Ishte një ditë e bukur edhe në Gjirokastër, sepse faktikisht, qyteti po fillon të marrë frymë dhe projektet e kantierit tonë të rilindjes po fillojnë të marrin formë, duke i dhënë Gjirokastrës shpresën e humbur për kaq shumë vite dhe duke i kthyer vëmendjen nga ky thesar i madh i trashëgimisë sonë kulturore.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë për Gjirokastrën edhe më shumë, dhe që tani kemi mbajtur zotimin që në qeverisjen tonë Gjirokastra do të marrë më shumë vëmendje dhe më shumë financime sesa në 20 vite të shkuara, të mbledhura së bashku. Megjithatë, edhe në vitet e ardhshme kjo do të vazhdojë dhe Gjirokastra do të fillojë të shkëlqejë siç ka hije, falë qeverisjes së socialistëve dhe progresistëve.”

(m.k/ar/sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: