TIRANE – Pas takimit kokë më kokë në ambientet e Kryeministrisë, shefi i qeverisë Edi Rama dhe sekretari amerikan John Kerry dolën përpara mediave në një konferencë të përbashkët, ku u vendos theksi në atë që kryeministri e cilësoi si “lidhje speciale mes dy vendeve”.


Kryeministri Rama tha se Shqipëria dhe shqiptarët i janë mirënjohës SHBA-ve që na kanë qëndruar në krah.
“Kjo vizitë e sekretarit John Kerry e nis më së miri celebrimin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë. Ky fakt e bën të dyfishtë kënaqësinë time për praninë e sekretarit mes nesh. Lidhja jonë speciale me SHBA na jep një besueshmëri dhe përgjegjshmëri të posaçme në promovimin paqes, rritjen e sigurisë dhe forcimin demokracisë në këtë cep të Europës. Shqiptarët i janë mirënjohës SHBA. Pa SHBA në krah, as Shqipëria dhe as shqiptarët në tërësi nuk do të ishin sot më të respektuar se kurrë më parë në historinë e tyre. Pa mbështetjen dhe këshillat e çmuara të SHBA, Shqipëria nuk do të kishte bërë as në dy vitet e fundit reforma. Ishte kënaqësi ta informoja nga afër sekretarin e shtetit për reformat. Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. Një reformë kyçe për qëndrueshmërinë dhe rezultatet e çdo reforme tjetër në çdo fushë tjetër.”- deklaroi Rama.


Kryeministri Rama u shpreh besimplotë se brenda marsit do të votohen ndryshimet kushtetuese, për të përmbyllur reformën në drejtësi.
“U jemi mirënjohës SHBA­ve për ndihmën e paçmuar që kanë dhënë për reformën në Drejtësi dhe punën e palodhur të ekspertëve amerikanë në këtë reformën. Jemi besimplotë se marsi të jetë muaji ku në Kuvend të votohen paketat e ndryshime kushtetuese. Si miq partnerë dhe aletë të ngushtë kemi punuar dhe do të punojmë në NATO dhe OKB dhe organizata të tjera”,- tha Rama.


Sa i përket zhvillimeve në rajon, kryeministri tha se “jemi tejet të kënaqur që Mali i Zi është ftuar në NATO, dëshirojmë shumë edhe të njëjtën gjë për Maqedoninë”. “Ndërsa Kosova dhe Serbia do vazhdojnë dialogun e tyre për të shkuar drejt normalizimit. Ne do ta intensifikojmë bashkëpunimin me SHBA për konsolidimin e zhvillimit demokratik jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje. Në rajonin tonë rrjeti i bashkëpunimit nuk ka qenë asnjëherë më aktiv. Tirana ka ambicien të jetë gjithnjë e më shumë zëri i paqes”, tha Rama.

Shefi i qeverisë deklaroi gjithashtu se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është një dialog i lehtë por është pa diskutim e vetmja rrugë për të arritur suksesin.
(er.nu/BalkanWeb)

Etiketa: