Kryeministri Edi Rama sjell këtë pasdite në vëmendje një tjetër zë të fortë të artit shqiptar, që mendon se Shqipëria duhet të ketë një Teatër të ri Kombëtar.

Kreu i qeverisë citon aktoren e njohur, Suela Konjari, e cila shprehet se teatri është mbi partitë, ndaj dhe për këtë çështje duhen tejkaluar bindjet partiake. Sipas saj, teatri na jep mundësi për ta dashur dhe besuar më shumë njëri-tjetrin.

Mesazhi i Ramës:

Suela Konjari i përket gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar. Në çështjen e shumëdebatuar të godinës së teatrit, ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror

SUELA KONJARI:
Kur mbaron një shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, teatri është mbi partitë.

Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme.

  • foto galeri

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb