* Veliaj: Me sheshin e ri “Skënderbej” po krijojmë një maskë oksigjeni për Tiranën
TIRANE- Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot projektin për qendrën e Tiranës që synon ta kthejë në një pedonale. Kryeministri Edi Rama i pranishëm, duke i kthyer përgjigje zërave dyshues për mungesat e tij në aktivitetet e bashkisë tha se merr pjesë këtë herë pasi flitet për një projekt të jashtëzakonshëm.

“Ky ndoshta është i pari aktivitet i bashkisë së Tiranës ku unë jam i pranishëm. Jo se nuk kam dëshiruar të jem i pranishëm herë të tjera por se këtë herë bëhet fjalë për një projekt të jashtëzakonshëm. Bëhet fjalë për një transformim të jashtëzakonshëm në zemër të Tiranës, që është zemra e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Bëhet fjalë për vazhdimin krijues të një projekti të nisur vite më parë dhe për përmbushjen e një ambicie legjitime që Tiranë të ketë një shesh i cili në hapësirën e trashëguar të sheshit në periudhën totalitare t’u afrojë banorëve dhe vizitorëve një pikë referimi të palëvizshëm”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se sheshi “Skënderbej” nuk mund të jetë shesh makinash, por duhet të jetë shesh i njerëzve që zgjedhin për të kaluar aty.

Duke iu referuar problemit të trafikut në kryeqytet, Rama tha: “Makina ime respekton çdo semafor, e di shumë mirë çfarë do të thotë të bllokohesh në trafik. Jam bllokuar dhe unë në trafik. Eshtë pjesë e çmimit që duhet të paguajmë për të qënë më të privilegjuar se ata që nuk kanë makinë. Nëse shkojmë në Paris, Londër, sot do të shohim se në të gjitha rastet, edhe nëse ka një këmbësor që po tenton të kalojë rrugine dhe jashtë vijave të bardha, makina duhet të ndalet. Eshtë taksa e privilegjit.”

“Fati i Tiranës, ndryshe nga ai i qyteteve të tjera është se nuk duhet të ndërtonte një shesh nga e para, por të demokratizojë një hapësirë të konceptuar kohë më parë nga dy arkitektë të famshëm, ata të cilët i solli këtu Ahmet Zogu. Ky shesh nuk mund të jetë i makinave, por ky shesh duhet të jetë i njerëzve që zgjedhin për të kaluar aty. Duhet të jetë një pikë takimi me historinë, me njerëzit dhe me refleksin e ambicies së këtij komuniteti për të ardhmen. Sot është mundësia për ta çuar sheshin në një nivel tjetër.  Puna e bërë dhe e ndaluar është nën tokë. sheshi është një akt politik i mirëfilltë për të vendosur në gurë një deklaratë të hapur lufte ndaj makinave”- tha shefi i qeverisë.

Duke iu përgjigjur kritikave për bllokimin e bulevardit të shtunën e kaluar, kur u organizua aktiviteti “Run 4 autism”, Rama tha: “Një maratone u bë dhe të privilegjuarit lëshuan helm, se u bllokuan në trafik. Kjo është e papranueshme. Eshtë pjesë e arrogancës provinciale të atyre që i thonë vetës pjesë e elitës”.

Kryeministri ka folur për rëndësinë e një sheshi në një qytet. Ai tha se një qytet pa shesh është pa identitet.

“Aty ku njerëzit janë bashkuar për të jetuar së bashku e kanë filluar nga sheshi. Sheshi është identiteti i një vendbanimi dhe një komuniteti dhe është pika e referimit të individit në raport me të tjerët. Sheshi është vendi që i bën familjet që jetojnë secila brenda mureve të shtëpive të tyre që të ndërveprojnë sëbashku, që i bën fëmijët e një vendbanimi ta perceptojnë njeri-tjetrin si pjesë e jetës së tyre. Një qytet pa shesh si Tirana është një qytet pa komunitet, është goditur në identitet. Ne kemi një zgjidhje shkel e shko për të siguruar qarkullimin e makinave dhe ku njerëzit duhet të vrapojnë për të kaluar rrugën”, tha Rama.

Kryeministri solli shembullin e planit të kërkuar nga Ahmet Zogu. “Në vitin 1929, Ahmet Zogu i kërkoi Armando Brazinit që të hartonte planin rregullues të qendrës së Tiranës dhe i prezantoi një ambicie tërësisht jashtë kohe, ku bulevardi i Armando Brazinit nga kritikët e asaj kohe u akuzuar të ishte një katedrale në mes të shkretëtirës. Ajo çka Ahmet Zogu në atë botën e tij të ngushtë kulturalisht por mjaftueshmërisht të pasur për nga instinkti i përparimit i vuri detyrë Armando Brazinit ishte: Dua një miniaturë të “Shën Pjetrit” në Vatikan”, tha Rama.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi projektin e sheshit “Skënderbej” si një maskë oksigjeni për kryeqytetin. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e prezantimit të projektit, Veliaj tha se stafi i tij do të përmbyllë punën e madhe që u bë për shehsin Skënderbej nga stafi i ish-kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama.

“Le të mos jemi naivë, i gjithë ky proces, i gjithë ky projekt sigurisht që do të ketë kundërshtarët e vet, politizimin deri në detaje të çdo guri që do të vijë për këtë shesh. Me sheshin e ri “Skënderbej” po krijojmë një maskë oksigjeni, për qytetin që ka probleme me ajrin. Ne jetojmë në një qytetet absolutisht të pashëndetshëm. Ashtu si një trup që ka nevojë të oksigjenohet vë një maskë oksigjeni, ashtu dhe sheshi “Skënderbej” ka nevojë për një maskë oksigjeni.”- tha Veliaj.

Kryeministri nuk ka lënë pa kritikuar qeverinë e kaluar që sipas tij, i kushtoi rëndësi asfaltit elektoral duke lënë pas dore qendrat. Rama tha se ky është rast unikal në historinë e njerëzimit.

“Ka ndodhur që projekti ynë i rilindjes urbane të kritikohet përse ne po transformojmë sheshet e qyteteve. Me justifikimin se njerëzit nuk kanë nevojë për sheshet nuk përfitojnë nga sheshet etj. Historia e njerëzimit njeh 1 rast kur vendimmarrja për të financuar zhvillimin e komuniteteve nuk u fokusua tek qendrat por tek asfalti elektoral. Ky rasti unikal është i Shqipërisë së tranzicionit që funksionoi me qeverinë e mëparshme”, tha ai.
(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb