TIRANE– Kryeministri Edi Rama nga kryeqendra e veriut, Shkodra, ka sulmuar publikisht kryebashkiaken Voltana Ademin. Gjatë një takimi me të rinjtë e këtij qarku që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 18 qershorit, i pari i qeverisë pohoi se sot Ademi e kishte përgojuar, duke e quajtur takimin e tij provokim.

Nga ana tjetër kreu i ekzekutivit tha se kryebashkiakja e Shkodrës kishte tentuar që të bllokonte takimin e sotëm të PS, me pretendimin se në atë shesh do ngrihej një çadër.

“Shumë faleminderit atyre që janë këtu përpara votimit të tyre të parë në 18 qershor. Shumë faleminderit të gjithë vajzave dhe djemve që janë këtu për të dëshmuar një dëshirë të madhe dhe për të dëshmuar edhe një nevojë të madhe; dëshirën që të ecim me hapin e Europës që duam. Në 18 qershor të bëhemi të gjithë bashkë, pa dallim. Të bëhemi të gjithë bashkë pa shkuar mbas flamujve të partive, të bëhemi të gjithë bashkë për të mos u ndarë si tifozë të fanellave politike, por për të qenë të gjithë një trup i vetëm nën flamurin e Skënderbeu dhe Ismail Qemalit, nën flamurin Kuq e Zi. Sot isha në Tiranë dhe më thanë se Voltana më kishte marrë prape nëpër gojë. Pyeta pse? Kishte thënë: “Edi Rama mos e provoko Shkodrën”. Voltanës i duket provokim sa herë vij unë në Shkodër. Por kur vi unë në Shkodër Voltana zgjohet nga gjumi. Edhe pastaj mora vesh që kishte ngritur një çadër, një çadër për të penguar këtë takim. Edhe thoshte: Është çadra për ditën ndërkombëtarë të familjes. Pyetja ime është ku është çadra? Çadra nuk është sepse ne nuk erdhëm të provokojmë njeri, dhe u spostuam. Kështu tallet Voltana me Shkodrën, me njerëzit dhe ata që e kanë votuar. Unë kam qen kryebashkiak, por Voltanën se merrja as për magaziniere”, tha Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb