TIRANË- Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish sot kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi teksa i përgjigjej deputetit Helidon Bushati për dëmshpërblimet e banorëve të Shkodrës nga përmbytjet.

Ndërsa Bushati akuzoi qeverinë për dëmshpërblime diskriminuese, kryeministri u shpreh se në rastin e Shkodrës, fajin e ka bashkia që sipas tij, është inekzistene kur bëhet fjalë për hallet e qytetarëve të saj.

“Ne kemi shlyer nëpërmjet OSHEE të gjithë atë volum detyrimesh që kishim. Mbetet një pjesë që nuk i kemi harruar në asnjë mënyrë, për zgjidhjen e problemit të së cilës jemi duke punuar. Me bashkinë e Shkodrës kemi një problem kronik, është tërësisht inekzistene në raport me problemet e qytetarëve të vetë. E vetmja bashki në Shqipëri që nuk ka kapacitetin as sa një komunë e humbur e para 2015 për të përgatitur dokumentacion dhe për të argumentuar atë që është dhënë. Nuk e di çfarë ndodh atje, por s’është e tepërt të thuash: Zot shpëtoji qytetarët e Shkodrës nga bashkia e tyre”,- tha Rama.

Debatet mes të dyve kanë qenë të vazhdueshme që nga sherri live i ditës kur u inaugurua stadiumi “Loro Boriçi në Shkodër, aty ku Rama i kërkoi llogari për mos shembjen e ndërtimeve rreth stadiumit e që nga kryebashkiakja u interpretua si kërcënim.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: