TIRANE

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me pedagogët e Fakultetit të Gjeologji Minierave në kryeqytet dhe një grup studentësh. Për takimin ka informuar vetë kryeministri në një postim në “Twitter” ku shkruan se pati dialog dhe falënderon studentët e pedagogët për mikpritjen.

Ndër të tjera, shefi i qeverisë shkruan se ka mësuar gjëra të reja nga studentët e pedagogët dhe ata e kuptuan ku e ka hallin ai vetë. Në mesazhin e Ramës ka edhe një “nesër”.

“Faleminderit për mikpritjen grupit të studentëve dhe pedagogëve të Gjeologjikut, me të cilët patëm një bashkëbisedim të dobishëm për Dialogun (e në fakt zhvilluam vetë Dialogun) ?Mësova gjëra të reja prej tyre, mbase edhe ata e kuptuan mirë se ku e kam hallin unë?Nesër vazhdojmë?”, shkruan Rama.

Rama Twitter
Rama Twitter

Burime nga pjesëmarrësit në takim thanë për News24 se me kryeministrin u prekën disa çështje. E para, çështja e godinës së Fakultetit të Gjeologji Minierave, ku kryeministri ka premtuar se nëse nuk do të gjejë një vend më të përshtatshëm fakulteti nuk do të zhvendoset. Rama ka këmbëngulur në kushtin e tij për dialog. “Jam i gatshëm të plotësoj çdo gjë por me dialog, pa dialog mund të rrini aty dhe 2 vite”, mësohet se ka thënë kryeministri.

Siç raportoi më herët “BalkanWeb”, takimi u zhvillua me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, i cili e kishte paralajmëruar pak ditë më parë gjatë takimit që pati me rektorë dhe dekanë nga universitete publike të vendit.

Në takimin që pati me rektorë dhe pedagogë në datën 14 të këtij muaji, kryeministri nuk kurseu kritikat ndaj tyre teksa u shpreh se duhet të shihet autonomia e Universiteteve.

Takimi i sotëm vjen në një kohë kur studentë nga të gjitha Universitetet publike protestojnë prej 13 ditësh për kushte më të mira si dhe ulje të tarifave të studimit. Studentët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre, por kryeministri Edi Rama kërkon dialog.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb