Kryeministri Edi Rama është takuar në SHBA me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, teksa po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB.

Lajmin e këtij takimi e ka dhënë kreu i shteti serb, i cili ka thënë në një intervistë për mediet e vendit të tij se ka diskutuar me Ramën dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për heqjen e barrierave për bizneset dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve e shërbimeve.

Mediet serbe raportojnë se Presidenti serb ka theksuar se është diskutuar në takim për një “Shengen të vogël”, që pritet të formohet nga tre shtetet: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Vuçiç tha se një marrëveshje specifike në këtë fushë do të firmoset në konferencën e Novi Sadit, më 9-10 tetor, ku ai pret të jenë të pranishëm Rama dhe Zaev.

“Ajo që diskutuam është se duam të jemi më specifikë. Ne duam të krijojmë lidhje më të thella politike dhe ekonomike dhe të paraqitemi para BE-së si një bllok, sesa individualisht”, u tha Vuçiç gazetarëve.

Kosova nuk përfshihet në këtë marrëveshje dhe i pyetur nga gazetarët, Vuçiç u shpreh: “Është e rëndësishme për Serbinë që Prishtina të përfshihet në këtë proces”.

Ideja e të ashtuquajturit “Shengen ballkanik” qarkullon prej vitesh, por janë Kosova dhe Mali i Zi që e kundërshtojnë ashpër, pasi e konsiderojnë këtë veprim si një përpjekje për rikthimin e ish-Jugosllavisë.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb