TIRANË- Një ditë pasi partia Fryma e Re Demokratike deklaroi se është e gatshme për një koalicion parazgjedhor me PS-­në, lideri i kësaj force Bamir Topi është takuar sot me kreun e qeverisë, Edi Rama. Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë që është është mbajtur në ambientet e hotel “Sheraton”, duke shmangur selitë e partive, si Rama ashtu edhe Topi deklaruan se biseda ka qenë më shumë e fokusuar tek parimet dhe duke qenë se bëhet fjalë për zgjedhjet vendore ka hapësira për bashkëpunim dhe një koalicion të gjerë. Kryeministri tha se në takim nuk është arritur të shmanget kundërvendosja në rrafshin e politikës por janë identifikuar pika të përbashkëta dhe shqetësime të përbashkëta.

“Ky është një rast specifik pasi bëhet fjalë për një parti të pozicionuar qartas në spektrin e djathtë dhe në një pozicion opozitar. Një pozicion opozitar i moderuar. Ne besojmë se ka hapësirë sepse këtu bëhet fjalë për zgjedhje vendore dhe eksperiencat botërore tregojnë se edhe në parti që kanë program tjetër, ka bashkëpunim. Në konkluzion do të thosha se sidoqoftë ka qenë një bisedë e hapur, e drejtpërdrejt. Nuk kemi mundur të shmangemi nga kundërvendosja që kemi në rrafshin e politikës së ditës, por kemi mundur të identifikojmë pika të përbashkëta dhe shqetësimet të përbashkëta.
Domosdoshmëri për të ndërtuar një politikë konstruktive në rrafshin e reformave dhe qasjeve të atyre që lidhen me shtetformimin, reforma në drejtësi, territoriale që FRD ka qenë që në krye të herës zë i arsyeshëm dhe në mbështetje të kësaj reforme dhe për atë se si mund të kemi një bashkëpunim në këto zgjedhje”, tha Rama.

Ndërsa Bamir Topi tha se forca që ai drejton mbetet në spektrin e djathtë por nuk nisur nga shqetësimet e shumta sociale e urbanistike, FRD-ja nuk ka pse të mos jetë pjesë e një koalicioni me bazë të gjerë.

Fryma e Re Demokratike është një parti e qendrës së djathtë, që do të thotë në politikën shqiptare mbetet në këtë spektër. Administrimi i pushtetit vendor, por më shumë në qendrat e mëdha është shumë problematik. Madje i ka sjellë qytetet në terma problematikë, të papërdorshëm. Në zgjedhjet e pushtetit vendor nuk ka pse të mos krijohen premisa për koalicion të gjerë. Tirana ka probleme të karakterit urbanistik dhe social. Jemi në oponencë për sa i përket politikës së madhe. Ishte takimi i parë, shtruam çështjet kryesore që kanë të bëjnë me parimet”, tha Topi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: