Përplasje të forta verbale janë regjistruar këtë të martë në Komisionin e Ligjeve mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe mazhorancës socialiste, në një kohë kur protesta e studentëve dhe gjimnazistëve kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë në ditën e 15-të.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe vetëshpërndarjen e Parlamentit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për dhunë joproporcionale ndaj protestuesve. Nga ana tjetër, deputeti socialist Ulsi Manja iu përgjigj me ironi kërkesave të opozitës, duke deklaruar se demokratët duhet të vazhdojnë të shohin ëndrra.
Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi denoncoi ndërhyrjet e policisë në protestat e dy javëve të fundit, duke pretenduar se qindra qytetarë kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore si pasojë e përdorimit të forcës dhe plumbave të gomës. Ai kërkoi hetimin e të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit për mënyrën e menaxhimit të protestave, si dhe largimin nga radhët e uniformave blu të efektivëve që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.
Deputeti i PD-së iu drejtua më pas përfaqësuesve të mazhorancës, duke u kërkuar të mos miratojnë paketën e masave ndëshkuese që pritet të shqyrtohet në Kuvend, ndërsa theksoi se Parlamenti ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Sipas tij, kërkesat e protestuesve janë të qarta: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore.
Deklaratat e Bylykbashit sollën reagimin e Ulsi Manjës, i cili sulmoi opozitën dhe e akuzoi Partinë Demokratike se mbron personat e përfshirë në akte dhune. Manja iu referua gjithashtu Partisë Demokratike, duke deklaruar se qytetarët nuk presin zgjidhje nga selia e kësaj force politike.
Në nisje të mbledhjes së komisionit, demokratët braktisën komisionin, duke vijuar qëndrimin kundërshtues ndaj punimeve të komisioneve parlamentare.
Ndërkohë, Manja njoftoi se Komisioni i Ligjeve do të vazhdonte shqyrtimin e çështjeve të rendit të ditës, duke theksuar se Kuvendi ka përpara nisma të rëndësishme ligjore që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Pjesë nga diksutimi:
Bylykbashi: Dita e 15-të që studentët dhe gjimnazistët janë në protestë, përballen me dhunë nga policia, njërit i nxorën syrin. Dhunë joproporcionale, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Arrestimi është përdorur si mjet intimidimi.
Qindra kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore nga plumbat e gomës. Duhej hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit. Duhet spastrim i policisë nga efektivët kriminelë që rrahin në mënyrë shtazarake protestuesit. I gjëmojnë nëpër rrugica, i rrahin dhe i lënë në shesh.
Ka dy kërkesa: Rama të japë dorëheqjen, është kërkesa e atyre në shesh, edhe e juaja nga brenda. Dhe një qeveri tranzitore. Kuvendi ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Mos u bëni me atë bandit, nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi do të jetë i juaji. Provoni t’i takoni ata atje dhe do ta shihni faturën.
Manja: Vazhdoni të shihni ëndrra, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas. Mos i mbroni ata të dhunës në selinë tuaj. Për të qenë të ndershëm deri në fund, duhet të dënohet dhuna nga të gjitha anët. Nëse ka tejkalim nga policia, le të bëhet hetim.
