Kryeministri Edi Rama tregoi bisedën që ka zhvilluar me mjekun e njohur shqiptar në Londër, doktor Kristo Papa.
Gjatë takimit me diasporën shqiptare në Britaninë e Madhe, kreu i qeverisë tha se mjeku Papa ka dëshirë të rikthehet në Shqipëri dhe të kontribuojë për vendin dhe vizionin e PS-së.
Rama paralajmëroi se Papa dhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë jashtë vendit, mund të jenë kandidatë të PS-së për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe inkurajoi intelektualët shqiptarë jashtë vendit në Europë e SHBA, t’i bashkohen platformës “Deputeti që duam”.
“Unë dje takova Kristo Papën, një mjek me një karrierë mbresëlënëse deri këtu në Londër i cili ka dëshirë të kthehet. Më tha dua të vij të kontribuoj për PS-në e 2030-ës. I thashë mendoje mirë se çfarë po vendos dhe çfarë po lë pas sepse mund të ndjehesh i zhgënjyer sepse politika është një mision i vështirë për ata që e kuptojnë si shërbim dhe si sakrificë. – Nuk kam çfarë mendoj – tha – i kam arritur këtej ato që doja të arrija dhe dua të kontribuoj për vendin tim por mbi të gjitha të ndjehem gjallë, në dispozicion dhe të ndjehem i dobishëm për më shumë se kaq se sa jam mësuar të bëj. Unë jam realisht i inkurajuar që doktor Kristo dhe jo vetëm ai, djem e vajza, intelektualë si doktori, jashtë Shqipërisë në Europë, në Amerikë të aplikojnë në platformën “Deputeti që duam” të shprehin dëshirë të na bashkohen. Ata dhe të gjithë shqiptarët që nuk udhëhiqen nga mllefi, nga ndasia, nuk udhëhiqen nga revanshi e dinë shumë mirë se pavarësisht të gjitha të metave, të gjitha dobësive, gabimeve, Shqipëria ka të vetmen shtetbërëse të të gjitha fazave të saj, PS-në, të tjerat janë dyqane”, u shpreh Rama.
Mjeku i njohur shqiptar në Londër ka publikuar edhe një foto në rrjetin social Threads, nga takimi që ka zhvilluar ditën e djeshme me kreun e qeverisë shqiptare.
“I nderuar të takoj kryeministrin e Shqipërisë z.Edi Rama sot teksa po përgatitemi për takimin madhështor me diasporën shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar”, shkruan mjeku Papa.
(BalkanWeb)