KORCE– Kryeministri Edi Rama ka sqaruar ditën e sotme negociatat që janë bërë me dy të dërguarit e BE-së pasditen e djeshme, për të zgjidhur ngërçin politik në vend. Para të rinjve korçarë, Rama tha se mazhoranca ishte gati që të dialogonte pa kushte, dhe pranoi kërkesën për shtyrje të datës së zgjedhjeve, sipas lirive kushtetuese, si dhe kërkesën e PD për disa ministri teknike, por sipas tij kjo ishte e mundur vetëm pas votimit të vettingut.

Rama tha se ndonëse iu drejtua ambienteve të Pallatit të Kongreseve për dialog, nuk e gjeti aty përfaqësuesin e opozitës, por sipas tij ai ndodhej në një dhomë tjetër.

“Ata janë mbledhur në bulevardin e Tiranës për të penguar reformën në drejtësi të vijë në Shqipëri. Ata kanë frikë nga reforma në drejtësi, dhe vettingu, që është fshesa që do pastrojë sistemin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Por nuk jemi të gjithë njësoj. Ne duam që të korruptuarit të zhduken një orë e më parë. Po të ishim të gjithë njësoj do ishin duke bërë të njëjtën gjë si ne këtu. Por ata nuk duan të shkojnë në zgjedhje, se nuk duan që sistemi i drejtësisë të shpëtohet nga kthetrat e atyre që i morën shpirtin këtij populli. Nuk shkojnë në zgjedhje, se si t’i thonë qytetarëve, “na jepni votën se ne do t’i mbajmë në punë ata të korruptuarit”.

Ne shkuam dje për të bërë dialog pa kushte, vajtëm me duart hapur, u ulëm në tavolinë për të diskutuar pa kushte. Por në tavolinë gjetëm vetëm të huaj. Kreu i PD nuk ishte në tavolinë, kishte shkuar në një dhomë tjetër. Na tha ja kush është plani për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. E pranuam të gjithin. E pastaj na tha ka edhe dy gjëra të tjera. E para t’i shtyjmë pak zgjedhjet, t’i japim pak kohë PD. Dhe e dyta të shohim ndonjë ministër teknik. Ne i thamë mund t’i diskutojmë këto, por çdo diskutim fillon nga vettingu. Të tjerat nuk kanë fare sens të diskutohen. Ne nuk mund t’i japim vetes të drejtën që t’ia bëjmë këtë popullit dhe qytetarëve. Si t’u themi hajde t’i shtyjmë zgjedhjet, se ata që janë në çadër kanë nevojë të lahen, te vishen, të dalin, të përgatiten. Nëse ata reflektojnë jam dakord që nëse heqin dorë nga mbrojtja e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar, jemi gati të bëjmë diçka.

Tirana e ka provuar Lulin, Shqipëria nuk ka ndërmend ta provojë. Shqipëria e ka provuar PD-në 25 vite. Nëse PD është kjo, populli nuk ka nevojë ta provojë më. Nëse PD ndryshon dhe u vjen shqiptarëve kokëulur dhe u thotë jam para gjykimit tuaj, janë shqiptarët që vendosin. Zgjedhjet janë të popullit, nuk janë të partive”, tha kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: