“Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj ndonëse ka dhënë më pak leje ndërtimi në 4 vite se sa Lulzim Basha kur ishte kryetar i kësaj bashkie, ka arkëtuar plotë 5 herë më shumë të ardhura nga taksa e ndërtimit”. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama duke folur në mbledhjen e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës duke shtuar se Bashkia e Tiranën nën drejtimin e Veliajt ka performuar shumë herë më mirë sesa bashkia e drejtuar nga kreu aktual i opozitës, si në aspektin e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit ashtu edhe në mbledhjen e të ardhurave nga taksa e ndërtimit që paguajnë ndërtuesit.

“Më lejoni ta filloj nga të ashtuquajturit oligarkë, njerëzit e pasur të këtij vendi, disa emra syresh që përtypen dhe ripërtypen si tagjia e gojës së dëshpëruar të opozitës sonë kryesore, në përpjekjen e saj të pandërprerë që shpif e shpif e diçka do mbetet. Rëndom, ndërtimtaria është tabela e preferuar e baltëqitjes së tyre, ku sipas avazit të vjetër, çdo leje ndërtimi është një aferë dhe çdo kullë që ndërtohet është një skëterrë. Sa i paguanin të ashtuquajturit oligarkë, arkës së kryeqytetit deri dje, për një leje ndërtimi? 4% të çmimit të shitjes. Po sot? 8% të çmimit të shitjes. Pra kemi dyfishuar taksën ndaj atyre që përflitemi se u shërbejmë. Po sa ka kontribuar taksa e ndërtimit në buxhetin dhe në zhvillimin e kryeqytetit në kohën kur baltëqitësit e sotëm ishin administratorët e djeshëm të Tiranës? Shifra është interesante. Në vitin 2014 Lulzim Basha firmosi lejen për 680 mijë metra katrorë ndërtim dhe bashkia arkëtoi 11 milionë euro nga taksa e ndërtimit. Nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës në vitin 2018, Erion Veliaj firmosi leje për 550 mijë metra katrorë dhe Bashkia arkëtoi 52 milionë euro. Pra me 130 mijë metra katrorë më pak leje ndërtimi, kjo Bashki në një vit arkëtoi 5-fishin e taksave nga ndërtuesit, 5 herë më shumë se sa ajo e vjetra që natën e kalonte me shejtanin dhe ditën gërhiste, duke bërë duvanë kaurit”, tha Rama.

Gjithashtu ai solli në vëmendje edhe politikat sociale të ndjekura nga bashkia gjatë këtyre 4 viteve të fundit të cilat sipas tij janë shumë herë më të prekshme nga qytetarët se sa gjatë kohës që këtë bashki e drejtonte Basha.

“Duke taksuar më shumë të pasurit në 4-vjeçarin tonë, janë dhënë 1000 kredi të buta për strehim, krahasuar me 0 kredi të buta, me 4-vjeçarin e baltëqitësve të sotëm. 830 bonuse qiraje, krahasuar me vetëm 89, pra 10 herë më shumë sesa në 4-vjeçarin e tyre. 120 banesa për komunitetin rom, krahasuar me 0 në 4-vjeçarin e tyre. Këto te kategoria e lidhur me banimin, por rritja e pakrahasueshme me kohën e tyre e volumit të investimeve në Tiranë në 4-vjeçarin e fundit, përveç se me mbështetjen serioze që qeveria i ka dhënë punëve të kryeqytetit, lidhet sigurisht edhe me taksimin e rritur për ata që kanë më shumë, si edhe padyshim me administrimin më të mirë të taksave të kryeqytetit në tërësi. Shifrat flasin vetë, faktet flasin vetë”, shtoi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb