TIRANË- Janë lançuar sot në Tiranë, programet e punësimit për vitin 2016, në një aktivitet ku merrnin pjesë kryeministri Edi Rama si dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Kryeministri Edi Rama theksoi se në Shqipëri ka vende pune, por mungojnë profesionistët dhe zanatçinjtë, që t’i përgjigjen kërkesave të tregut. Sipas Ramës, si rezultat i pabesisë së qeverisë së kaluar, fëmijët shqiptarë kanë mbetur me një diplomë në dorë, që nuk ka asnjë vlerë.

“Vende pune ka, nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë e zanatçinj që t’i përgjigjen nevojave, sepse në këtë sipërmarrje nevojës për tornitor, axhustatorë, montues panelesh etj nuk i përgjigjen të papunë që s’kanë haberin nga zanati apo që kanë diplomë për jurist. Më ka ardhur shumë zor kur kam parë një profesor mendimtar i shquar i cili e kishte shqyer gojën deri në atë pikë sa të thoshte se c’jemi ne që u kërkojmë shqiptarëve të kenë zanate apo të punësohen cirakë të privati ndërkohë që kanë diploma”. Kjo është rezultat i një pabesie të pashoqe që u është bërë prindërve në radhë të parë, dhe fëmijëve në radhë të dytë që ju hapën pa asnjë lloj pengese sinjalistike, autostradat e shpejtësisë së lartë dhe në fund mbeti në dorë, në të shumtën e herës një diplome që s’ka asnjë vlerë”- deklaroi Rama.

“Le të kthehemi pak në të shkuarën, nëse politika dhe rendja qorrazi pas votave, duke ndërmarrë një rrugë kaq qorre sa rruga e eliminimit të gjithë sistemit të arsimit profesional dhe krijimit të një sistemi piramidal universitetesh, nuk do ta kishte bërë këtë krim, por do kishte bërë të kundërtën dhe 10 vjet më parë do kishte reformuar sistemin e arsimit profesional dhe do kishte lidhur arsimin profesional me ndërmarrjen, sot jo vetëm që do kishim shumë më pak këtë problem, por do ishim një vend ku forca e kualifikuar e punës do krijonte premisa për më shumë investime private vendase dhe të huaja.”- deklaroi kryeministri Rama.

“Pyetja ime është, -tha kreu i qeverisë- Si ka mundësi që në 20 vite kur dihen se kush janë burimet e rritjes dhe zonat strategjike në ekonomi ku duhej të investohej paraja ne nuk nxorëm dot asnjë inxhinier të ri?! Pa folur pastaj për teknik të mesëm”.

Kryeministri theksoi mungesën e inxhinierëve, që kompanitë e huaja i marrin nga jashtë, ose ‘shfrytëzojnë ata të kohës së Enverit’, siç tha ai

“Po të shikojmë kompanitë e huaja që punojnë me energjinë, me naftën, teknikët e mesëm dhe inxhinierët i kanë ose të huaj ose të kohës së Enverit sepse gjithë të tjerët kanë ikur në Kanada. Ndërkohë që ne këtu kemi juristë, ndaj edhe drejtësia ka ecur më mirë së gjithë të tjerat. kemi numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë”, tha ai.

Sipas tij, ka një mundësi të madhe të zhvillimit të eksporteve në bujqësi, në blegtori. “Pa llogaritur faktin që kemi një mundësi të sigurt të zhvillimit të këtij sektori për të rritur kapacitetet prodhuese në vend. E çfarë ndodh, nuk gjendet në Korçë kasap. Është një fabrikë që unë kam patur nderin ta vizitoj, e shkëlqyer, e gatshme të krijojë një zinxhir vendesh pune. Atij i duhen 50 kasap jo 50 juristë. Juristët mund ta bëjnë kasapin kur kanë para gjykatës jo kur kanë mishin para për ta prerë e paketuar”, tha Rama.

BEDRI SULA
Ndërsa Bedri Sula, administrator i Elal shpk në Vaqarr, u shpreh i gatshëm që të pranojë të rinj për të bërë kurset e kualifikimit, ndërkohë që vlerësoi programet e punës nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

“Pak a shumë edhe kompanitë e tjera, sikur kompania jonë vujanë mungesën e specialiteteve. Ne prekim 10 deri në 15 profesione të mesme, si bojaxhi, saldator, tornitor, montues panelesh, ndriçues të ndryshëm. Ata persona të kualifikuar, ato që montojnë këtu duhet të montojnë edhe në qytete të tjera. Programi i punësimit do të na ndihmojë, unë sot po të kisha edhe 100 praktikues, që ti profesionoja këtu, është një zgjidhje që edhe punëson, edhe ne na bën të kënaqur. Ju falenderoj që zgjodhët kompaninë tonë për të bërë një promovim të tillë dhe shpresojmë që ta ndihmoni me kontigjente sa më të mira”.

LUAN BREGASI
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Biznes Albania, Luan Bregasi tha se “ne kemi bërë disa takime rajonale së bashku me ministrin Klosi, në Elbasan, Korçë etj. Ajo që vumë re ishte që kishte vende të lira pune, por nuk kishte profesionistë të kualifikuar, për sektorin privat në mënyrë të veçantë. Përgatitja dhe kalimi në parlament i projektligjit për licencimin e zanateve është një hap i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare”.

Klosi: Arsimi profesional do ndihmojë tregun e punës

Ministri Klosi e ka vënë theksin gjatë fjalës së tij tek arsimi profesional që sipas tij do të ndihmojë tregun e punës. Ai tha se falë programeve të punësimit të rinjve me arsim profesional që futen në punë do t’u paguhet paga në mënyrë që ata të fitojnë eksperiencën e duhur.

“Arsimi profesional është nxitje për punësimin. Kompanitë duan punonjës të kualifikuar. Luftë e munguar me dekada ndaj informalitetit. Reforma për të nxitur punësimin. Vëmendje te madhe ndaj arsimit profesional, i cili do ndihmojë tregun e punës”, tha Klosi.
(m.k/er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb