TIRANË- Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të mërkurë një sipërmarrje fason, që operon prej një vitit në Tiranë. Gjatë bisedës me administratorin e këtij biznesi, Kryeministri u shpreh se “qeveria do të jetë përkrah biznesit, duke nxitur me politika të reja zhvillimin e tij. Si, një prej masave më të rëndësishme lehtësuese në paketën e re fiskale, Kryeministri veçoi pagesën e skanimit në dogana, e cila do të bëhet nga shteti. 

Ndërsa sipërmarrësi italian Fabio Attanassio, me një eksperiencë 15 vjeçare në këtë sektor u shpreh se ai parashikonte që brenda një periudhe 2-vjeçare të arrinte në 3500 të punësuar. “Produkti ynë shkon në Kanada, Gjermani Amerikë dhe jemi të nderuar të prezantojmë Shqipërinë me markën Made in Albania”, u shpreh ai.

Drejtues të sipërmarrjes u shprehën se bashkëpunimi me zyrat e punës, lehtësitë fiskale, në mënyrë të veçantë heqja e tvsh-së për makineritë e importit kanë qenë një shtysë e rëndësishme për suksesin e saj. “Brenda një viti jemi rritur, kemi filluar me 60 punonjës para një viti, sot jemi me 600. Qeveria na ka mbështetur. Zyrat e punës kanë qenë bashkërendëse në këtë drejtim dhe na kanë ndihmuar shumë duke na sjellë punonjës me eksperiencë. Kemi gjetur mbështetjen fiskale të qeverisë. Ky është një investim krejtësisht i ri. Përjashtimi nga TVSH për makineritë e importuara ka qenë një ndihmesë e madhe. Kemi gjetur terrenin e duhur për t’u zhvilluar.”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb