KORÇË – “Korça ka vite që është vendi më i bukur për festat” është shprehur sot kreu i Qeverisë, Edi Rama, ndërsa ka vizituar projektet që janë duke u realizuar në këtë qytet.

Duke postuar një fotografi në Fb, Rama shkruan: “Pista e akullit në sheshin e rindërtuar të Korçës, që ditën e Krishtlindjeve do të jetë gati për të befasuar turistët.”

Po ashtu, ai publikon edhe tri fotografi të tjera me diçiturën: “Një perlë e trashëgimisë sonë kulturore, Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë, e sapo rinxjerrë nga pluhuri i rrënimit si dhe Pazari i Korçës, një tjetër perlë e zhytur në rrënim e baltë që është bërë pjesë e kantiereve të Rilindjes Urbane.”

Kryeministri Rama ka kryer sot një inspektim në juglindje të vendit, duke nisur nga qyteti i Maliqit, ku pa nga afër punimet në bulevardin kryesor të qytetit si dhe vizitoi një firmë të përpunimit të drurit. Kreu i qeverisë tha se qeveria kritikohet nga kundërshtarët se bën shumë gjëra e shpejt, ndërkohë që nuk harroi të përmendte pagesën e rregullt të energjisë elektrike. Vetë pronari i fabrikës tha se janë punësuar 70 njerëz në një fabrikë që riciklon mbetjet e drurit në trajtë bio.

Turi i inspektimeve të Kryeministrit Rama vijoi në Korçë, ku pa nga afër investimet që po kryen bashkia tek zona e Parkut Rinia, zona e Pazarit të vjetër si edhe tek sheshi para teatrit të qytetit, ku pritet të inaugurohet kulla e re si edhe tek pista e patinazhit. Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se do të investohet në Korçë më shumë se 20 vjet të marra së bashku, pa harruar të thumbonte kritikët e kullës së re të ndërtuar në mes të qytetit juglindor.

Batutat kryeministri nuk i kurseu as përgjatë vizitës te Pazari i vjetër. Më pare, gjatë ditës, Rama qëndroi për pak çaste në qytetin e Pogradecit, për të parë investimet në lagjen 1 të këtij qyteti. I detyruar nga mbyllja e rrugës Elbasan-Tiranë, për shkak të rënies së dherave, Kryeministri Rama mbërriti në juglindje me ndihmën e një helikopteri, për të shkurtuar distancën.

Jo më kot Rama e ka vizituar Korçën në prag të festave, pasi që nga ky qytet ai nisi projektin më të madh të “Rilindjes” atë të ndryshimit të shesheve kryesore të qyteteve të vendit dhe nxjerrjen në dritë të të gjitha vlerave të trashëgimisë historike dhe kulturore të secilit prej tyre.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: