Kryeministri Edi Rama ka vizituar këtë mesditë, para nisjes drejt qytetit të Durrësit, personat e lënduar nga tërmeti i fuqishëm 5.8 ballë, që ndodhen ende te Spitali i Traumës, në Tiranë. Duke folur për media jashtë ambienteve të spitalit, Rama tha se kujdesi ndaj të lënduarve ka qenë maksimal dhe numri i tyre ka rënë fare.

“Fluksi i parë ishte i madh, është përballuar me sukses. Nuk ka qenë një goditje fatale dhe përgjithësisht plagët e marra dhe problemet e natyrës mjekësore nuk kanë qenë ekstreme. Kujdesi ka qenë maksimal. Numri i të lënduarve ka rënë fare. Secili prej atyre që vazhdojnë të jenë në spital është një njeri që meriton gjithë vëmendjen”, tha Rama.

Strukturat kanë mundur ta përballojnë situatën?
Përgjigjen e dhashë, e anë parë të gjithë që kemi qenë të organizuar menjëherë, sepse qoftë ministrja e Shëndetësisë, ajo e Mbrojtjes, apo prefektët kanë punuar me trajnime të protokollëve që janë gati për emergjencat. Gjithçka ka funksionuar më së miri. E mira s’ka fund asnjëherë, por gjithçka është përballur më së miri.

Do vazhdojë shqetësimi?
Periudha e menjëhershme pas tërmeteve shoqërohet me ankth, pasiguri, stres dhe nevojën e madhe për t’iu komunikuar të gjithëve që duhet sa më shumë qetësi dhe pak durim se situata është e kapërcyeshme. Nuk kemi humbje njerëzish, as dëmtime të strukturave të banimit të atilla që të kenë lënë familjet pa strehë. Çdo dëmtim do verifikohet, njerëzit nuk duhet të shqetësohen për plasaritje. Kush ka frikë të qëndrojë në shtëpi ka në dispozicion hapësira të tjera.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb