Kryeministri Rama në një intervistë për gazetën “Panorama” tregon për marrëdhënien e tij me ministrat teknikë të Partisë Demokratike. Ministrat e qeverisë “Rama 2” nuk do ta dorëzojnë mandatin e deputetit dhe si rrjedhojë, nuk ka deputetë të listës që do t’i zëvendësojnë ata.

Kryeministri Rama zbulon se është tërhequr nga praktika e lënies dhe “zhveshjes” së ministrave të tij nga mandati i deputetit dhe jep arsyet pse ka vendosur që ata të jenë edhe ministra dhe deputetë.

“Nuk do ta ndjekim këtë praktikë, jo pse nuk funksionoi në mandatin e parë, por sepse na duhet të kemi një kompaktësi të plotë dhe ministrat duhet të kenë një lidhje shumë më të fortë me grupin parlamentar se mandatin e parë”- thotë Rama.

Kreu i qeverisë tregon se çfarë do të bëhet me ata që prisnin të hynin në parlament, për shkak të lënies së mandatit nga ministrat.

I pyetur për mungesën e një komunikimi personal të tij me ministrat teknikë të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë vlerëson punën e tyre, veçanërisht zv.Kryeministren Ledina Mandija për seriozitetin, për integritetin e saj në raport me detyrën që kreu.

Riemërimi i ministrave të tij në kabinetin e ri qeveritar, për Kryeministrin Rama ka kaluar përmes një analize dhe matjeje të punës së tyre, ndërsa shprehet se ata do të duhet t’i dalin për zot kësaj detyre, përndryshe ata nuk do të jenë më ministra, por vetëm deputetë.
Në marrëveshjen e 18 majit me zotin Basha, ju ratë dakord që në Qeveri të përfshiheshin dhe ministra të PD-së si kujdestarë të administratës për mospërfshirje në fushatën zgjedhore. Por ju nuk zhvilluat asnjë mbledhje qeverie me këta ministra, ishte kjo një shkelje nga ana juaj e marrëveshjes?

Jo, nuk është kështu. Ata kanë pasur të gjitha kompetencat, të gjithë autoritetin për të bërë detyrën e tyre. Ata ishin kujdestarë të zgjedhjeve, unë isha faktor në zgjedhje, kështu që e kam parë shumë më të arsyeshme që gjithë mbarëvajtja e punës së qeverisë t’ia delegoj zv.Kryeministres dhe deri në momentin e zgjedhjeve, kjo gjë ka funksionuar plotësisht.

Pas zgjedhjeve, sigurisht që nuk ka qenë më e nevojshme për të pasur me ta një marrëdhënie pune, sepse ata nuk ishin aty për të zbatuar programin politik dhe qeverisës të Partisë Socialiste.

Me thënë të drejtën, përveç disa ekseseve të pakuptueshme, të pashpjegueshme, të paarsyetueshme në Ministrinë e Arsimit, nga ana e titullares, të tjerët kanë qenë super korrektë në detyrën e tyre dhe nuk kanë lënë asnjë shteg për të mos i falënderuar dhe përshëndetur, sa i takon respektimit të marrëveshjes.

Ka pasur një vetëdije dhe një përgjegjshmëri vërtet për t’u respektuar nga të tjerët, ne na ka ecur çdo gjë mbarë me Ministrinë e Financave, por dhe me dikasteret e tjera. Zv.Kryeministrja mua më ka lënë një përshtypje jashtëzakonisht pozitive për seriozitetin, për integritetin në raport me detyrën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb