Në emisionin Open në News24 është diskutuar mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku duket se përballja do të jetë ajo mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha, përkatësisht kryetarë të PS dhe PD.

Ornela Çuçi, ish-zv. ministre e Turizmit në Qeverinë Rama, tha se ne kemi personazhe konsistente në politikë, të ngjashme si ato telenovelat që nisin dhe nuk mbarojnë. Ajo e konsideroi Berishën si liderin e të mbeturve, ndërsa shtoi se nëse kërkon të fitojë zgjedhjet, duhet të vendosë autoritetin së pari në të gjithë opozitën.

Çuçi tha se Edi Rama absolutisht është më i favorizuar në raport me Sali Berishën. “Shikoni mësuesit, nga 140 apo 250 mijë lekë që ka qenë paga në 2013, sot ato janë më të vlerësuarit”, tha Çuçi.

Por duke ndërhyrë, deputetja demokrate Dhurata Çupi Tyli theksoi se në 2013 pagat e mësuesve nuk kanë qenë as 140 apo 250 mijë lekë në muaj. “Mos flisni sikur Edi Rama është në mandatin e parë, është në mandatin e 3-të, pagat i rriti së fundmi”, tha deputetja demokrate.

Çuçi tha se nëse bëhet një krahasim mes rrugës së Kombit në ndërtuar në Shqipëri dhe asaj në Kosovë, ka një dallim shumë të madh. “Rrugët duhet të ndërtohen për të ardhmen e vendit. Tuneli i Llogarasë çfarë është, po Thumanë-Kashar, çfarë është? A janë rrugë?”, tha Çuçi.

Ajo tha se gjatë 3 mandateve të Qeverisë Rama ka arritje pafund, por sikundër janë rritur pagat, janë rritur edhe çmimet. “Rritja e pagave nuk është në proporcion me rritjen e çmimeve”, tha Çuçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: