Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan Palushi ishte sot i ftuar në episodin e 13 të sezonit të 4 të podcastit “Flasim”, që bën kryeministri Rama. Ky i fundit ka zbuluar një detaj nga jeta e Kryepeshkopit, i cili përpara se të bëhej prift ka shërbyer në Psikiatri si infermier.
Fortlumturia e tij Joan u shpreh se arsyeja se përse zgjodhi të shërbente atje, ishte pikërisht frymëzimi që mori nga Ungjilli.
Pjesë nga biseda:
Edi Rama: Kur ecejakeshim ju punonit infermier në spitalin psikiatrik. E kujtoj shumë mirë thoshin se gjëja më e mirë që bën njeriu është të japë. Mirëpo tek dhënia ka një moment egoizmi, në sensin e vetëkënaqësisë që po jep; pra jep, por merr në këmbim sensin e lumturisë. Por në rastin kur jep dhe marrësi nuk e di fare se kush je, është ndryshe. Psikiatria ishte palestra në mungesë të Kishës, ku ju stërvitnit shpirtin
Joan Palushi: Në fakt kjo ishte edhe arsyeja përse shkova atje, ishte frymëzimi i Ungjillit. Familja u çudit fillimisht sepse isha një djalë i ri. Kur shkova dhe pashë atë realitet, nis një dhembshuria e madhe për këta njerëz. Isha i përgatitur shpirtërisht, por është tjetër të përballesh realisht me të. Në fillim, ndjeva dhembshuri për këta njerëz, sidomos kur aty ishte dikush me të cilin isha rritur. Kjo më shtyu akoma më tepër për të qëndruar. Edhe kur më propozuan të shkoja në ca vende të tjera, nuk pranova. Ajo që ndjeva herën e parë ishte dhembshuri, aq më tepër kur pashë që atje ishte edhe një person që e kisha njohur e kisha pasur në klasë.
Mendja është gjëja më e rëndësishme e njeriut. Njerëzit me probleme mendore duhet të ndihmohen.
Fortlumturia e Tij ndau historinë e jetës dhe cili ishte momenti që e lidhi me fenë.
“Kur lexova për herë të parë Ungjillin, në vitin e katërt të gjimnazit, ndodhi diçka thellë brenda meje. Vij nga një familje me 8 fëmijë, aspak e krishterë. Por ajo thirrje e brendshme më udhëhoqi drejt priftërisë. Një varg nga Zbulesa më rrinte gjithmonë në mendje – ‘Unë jam ai që hap dhe askush nuk mbyll’. Dhe e pashë si rrugën time”, u shpreh Kryepeshkopi.