HAS- Kryeministri Edi Rama nga Hasi deklaroi se e gjithë vëmendja  e qeverisë është tek njerëzit. Ai pohoi se platforma “shqipëriaqëduam.al” në total ka zgjidhur mbi 16 mijë probleme të natyrave të ndryshme.

Sipas Ramës, nga shqetësimi i banorëve në portal, janë shënuar raste ku zyrtarët kanë shkuar në ndjekje penale. Rama shtoi mes tjerash se qytetarët për problemin e tyre nuk duhet të presin dhe të trokasin në zyra, por të adresojnë menjëherë shqetësimin në portal.

“Platforma “shqipëriaqëduam.al” është një mekanizëm efikas, që po fuqizohet dita ditës, falë  qytetarëve, të cilët adresojnë në të ankesat e tyre. Më vjen mirë të them se platforma në tërësinë e saj, ka zgjidhur rreth 16 mijë probleme. Probleme në thonjëza të vogla, të bartura, prej muajsh dhe vitesh. Probleme me pensionet, probleme me mbi faturimin, diplomat, probleme nga ata që hera herës kthehen në pamundësi për njerëzit, ku në një zyrë duhet të marrin atë që iu takon ngecin.  Platforma është transformimi i shërbimeve përmes teknologjisë. Janë shumë zyrtarë që kanë shkuar në ndjekje penale, janë shumë të tjerë janë larguar nga puna, e disa të tjerë  janë paralajmëruar për përjashtim nga puna, tha Rama.

Shefi i qeverisë së bashku me ministrat vijon “traditën” e mbledhjes së kabinetit në qarqe të ndryshme, ndërsa kësaj here ka zgjedhur qarkun verilindor të Kukësit, teksa po përcillen dhe monitorohen shqetësimet e banorëve.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb