TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Qytetin Studenti ku ka biseduar me studentët dhe ka parë nga afër punën për rikonstruksionin e konvikteve. Ndonëse opozita flet për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, kryeministri bëri një tjetër premtim para studentëve që do realizohet deri në fund të mandatit.

Rama tha se të gjitha konviktet në të gjithë vendin do rindërtohen.
“Paralelisht po punojmë me Bashkinë e Tiranës me kampusin, është një projekt shumë ambicioz, kemi problem serioz rimarrjen e hapësirave.
Po përgatisim edhe gjithë inventarin e nevojshëm për shpronësimet ndërkohë që projekti i ndërtimit të hapësirave të reja, qoftë të natyrës rekreative, qoftë akademike është duke u realizuar.
Besoj që deri në fund të këtij mandati, të gjithë konviktet e Shqipërisë do jenë rindërtuar me këto standarde. Për një pjesë të mirë të dhomave ndërhyrja do bëhet gjatë verës.
Me fillimin e mandatit të ri të Bashkisë së Tiranës do të ecim me punën për kampusin. Është një investim goxha i madh por do bëhet.
Ashtu siç do fillojnë në fund të këtij viti e në fillim të vitit të ardhshëm investimet e tjera për auditorët etj”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se do të investohet për arsimin e lartë më shumë se 30 vitet të marra së bashku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb