KOSOVË 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është nisur të mërkurën drejt Gjermanisë, për të zhvilluar një varg takimesh me zyrtarë të këtij shteti, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se në kuadër të këtij takimi, do të marrë pjesë edhe në lutjet e mëngjesit në Berlin.

“Kjo vizitë pune do të ketë për qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe besimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë si partnere strategjike. Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime europiane dhe në fushën e sigurisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës. Haradinaj dhe krerë tjerë shtetërorë kanë marrë pjesë më 29 prill, në Samitin e Berlinit, i cili është organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Një tjetër takim i natyrës së njëjtë pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, derisa nikoqir i takimit, përveç kancelares Merkel është edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Si Samiti i Berlinit ashtu edhe ai i Parisit janë organizuar me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011. Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën prej 100, që, Qeveria e Kosovës ka vendosur në importet e Serbisë, si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Kryeministri Haradinaj në anën tjetër ka thënë se kjo masë do të vazhdojë së aplikuari derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës. Heqjen e kësaj tarife e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb