Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kanë pritur që ai do të tërhiqet nga pozicionet për taksën dhe ndarjen pas ftesës nga Specialja. I pranishëm në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haradinaj ka hedhur akuza të rënda ndaj spektrit politikë të Kosovës për Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë se askush nga politika nuk i ka pritur veprimet e tij pas ftesës nga Spacialja.

“Ata kanë pasur një skenar se kur të më vijë mua ftesa, unë do të kërkoj zgjidhje gjithkund për të shpëtuar kokën time dhe nga të mundem dhe të kërkoj adresë për të shpëtuar. Duke kërkuar atë zgjidhje unë ose do të kisha pranuar ndarjen ose të largoj taksën, ja diçka tjetër. Askush nga ta nuk e ka pritur se ua lë letrat në dorë. Të ju them faleminderit shumë. Dorëheqje! Shkojmë në zgjedhje”.

I pari i AAK-së thotë se ka llogaritur vetëm për qytetarët dhe për këtë ua ka kthyer sërish mandatin.

“Besimin e kam te populli. Nëse populli më jep besimin e ndërtoj qeverinë. Nuk kam më besim te politika dhe kolegët e mi sepse këtyre ua kam prishur letrat”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb