Vendet mesdhetare janë më të prekura nga ndryshimet klimatike me një rritje të temperaturave mbi mesataren që kërcënojnë burimet bujqësore, theksuan ekspertët e rajonit.

Pjesë e grupit të MedEcc, një rrjet prej më shumë se 600 shkencëtarësh nga vendet e Mesdheut, këta ekspertë prezantuan  sot raportin e tyre gjatë një takimi të Unionit për Mesdheun, që grupon vendet europiane dhe të pellgut të Mesdheut.

“Ne jemi një prej rajoneve të botës më të prekura nga ndryshimet klimatike”, theksoi Nasser Kamel, sekretari i përgjithshëm i Unionit për Mesdheun, gjatë prezantimit të studimit.

Shkencëtarët e MedEcc theksojnë se rritja e temperaturave në pellgun e Mesdheut ka arritur tashmë 1,5ºCelsius në raport me nivelet paraindustriale, për një mesatare botërore 1,1ºCelsius.

Në vitin 2040, sipas studimit të tyre, kjo rritje e temperaturave do të arrijë 2,2ºCelsius dhe mund të rritet në 3,8°Celsius, në disa pjesë të pellgut të Mesdheut, në fund të shekullit ndërkohë që periudhat e nxehta do të jenë më të vazhdueshme dhe më intensive.

Kjo rritje e temperaturave do të shoqërohet me një reduktim të reshjeve në dekadat e ardhshme që mund të arrijnë deri në 30% në zona si Ballkani apo Turqia.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb