TIRANË

Kryeprokurorja e Përgjithshme Arta Marku ka prezantuar përpara Komisionit të Ligjeve raportin e Prokurorisë për vitin 2018. Marku në fjalën e saj ka bërë një përmbledhje të punës së organit të akuzës gjatë vitit që lamë pas. Numri një i Prokurorisë tha se edhe në vitin 2018, qarku me kriminalitetin më të lartë është Vlora, ndërsa me kriminalitetin më të ulët është Dibra.

“Prokuroria ka zbatuar të gjitha ligjet në fuqi dhe rekomandimet e Këshillit të Ministrave, rekomandimet e BE, për të shpejtuar rrugën për integrimin e BE. Për vitin 2018 kemi më shumë procedime penale se në vitin 2017. Viti 2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për prokurorët dhe gjyqtarët, për shkak të procesit të vettingut. Prokurorët kanë qenë disi apatik, pasi në mënyrë të pashmangshme ka ndikuar në punën e tyre.

Një pjesë e procedimeve janë nisje nga Prokuroria, ndërsa më shumë janë referime nga qytetarët dhe policia. Gjithsej, janë bërë më shumë se 57 mijë procedime. Më shumë procedime penale janë shënuar në Tiranë, më pas në Durrës, Elbasan, Shkodër.  Përqindja më e ulët e kriminalitetit është në qarkun e Dibrës, kurse më të lartë e ka qarku i Vlorës. Veprat penale më të lartë janë vjedhja e pasurisë, krime ndaj personit, krimet ndaj tokës, veprat e dhunës kryesisht në familje. Në 2018, janë dënuar më shumë se 10 mijë persona”, tha Arta Marku.

Kryeprokurorja Arta Marku tha se Prokuroria gjatë 2018 ka goditur rrjetet kriminale, korrupsionin në qeverisje dhe grupimet mafioze kudo ata veprojnë. Marku shtoi se janë ulur veprat penale për korrupsion të qeveritarëve.

Arta Marku tha se Prokuroria ka bërë një punë të madhe sa i takon fushës së narkotikëve, duke kryer arrestime të shumta. Ajo tha se është bërë punë në fushën e goditjes së pasurisë së paluajtshme.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb