SIRI– Grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Amnesty International raporton se forcat e qeverisë së Sirisë dhe kryengritësit, kanë shkelur të drejtat e njeriut në qytetin verior, Alepo. Në raportin e publikuar sot, ky grup thekson se disa aksione të forcave të regjimit të presidentit Bashar al-Assad, paraqesin krime kundër njerëzimit.


Më tej, thuhet se fushata ajrore e vazhdueshme e ushtrisë së Sirisë kundër territoreve, që janë nën kontrollin e kryengritësve të qytetit të ndarë Alepo, kanë shkaktuar viktima të mëdha civile.


Amnesty International ka dënuar përdorimin e të ashtuquajturave bomba-fuçi nga forcat qeveritare, duke thënë se natyra e pakontrolluar e armatimit sugjeron se civilët ishin në shënjestër në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme.


Amnesty International thotë se taktikat e tilla paraqesin krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në raport dokumentohet edhe përdorim i shpeshtë i torturës, burgosjet arbitrare dhe rrëmbimet nga të dy palët në konflikt.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb