NGA: ORNELA MANJANI* TIRANE-Rreth 50 % e punësimit të përgjithshëm jash të bujqësisë korrespondon me punësim informal dhe afro tre e katërta e punës në ndërtim është punë informale. Informaliteti prek rritjen e bizneseve formale, ul të ardhurat nga tatimet dhe prish stimujt e tregut të punës. Këto janë të dhënat e fundit të Bankës Botërore, sipas të cilës mësohet se segmentet vulnerabël të popullsisë janë të angazhuar gjerësisht në sektorin informal, gjë e cila i pengon ata që të përfitojnë nga mundësitë ekonomike.

Banka Botërore referon se, ngadalësimi i shpejtë në ekonomi pas 2008- ës shkaktoi rënien e kërkesës për punë. Punësimi u ul në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke çuar në reduktimin e të ardhurave të familjeve dhe në rritje të varfërisë. Rritja e varfërisë nga 10,2 për qind në 13,6 për qind në zonat urbane në periudhën 2008-12 u shkaktua kryesisht nga tronditja e tregut të punës.

VARFËRIA
Sipas raportit të Bankës Botërore deri në vitin 2008 ulja e varfërisë lidhej kryesisht me pagat dhe pensionet, me kontributin kryesor të remitancave. Në periudhën nga 2009-a deri në 2013-ën, përqindjet e punësimit dhe të pjesëmarrjes në punë u ulën përkatësisht në 44,5 për qind nga 52,7 për qind. Punonjësit me aftësi të ulëta, të punësuar më parë në sektorët jotregtar, u prekën veçanërisht nga dobësimi i kërkesës për punë. Sektorët me punë intensive ishin ata që u prekën më shumë. Për shembull, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2013, rezultatet dhe punësimi në sektorin e ndërtimit u ulën me një mesatare vjetore prej përkatësisht 3.5 dhe 4.4 për qind.

Megjithatë, produkti për punonjës u rrit pas vitit 2008 (megjithëse me ritëm mjaft më të ulët sesa përpara krizës), kryesisht falë rritjes së shpenzimeve kapitale nën një qasje të lëshuar fiskale. Pas 2008-ës, papunësia dhe inaktiviteti ekonomik janë shoqëruar po ashtu me statusin e ulët socialekonomik. Nivelet e inaktivitetit jo vetëm që u rritën pas 2008-ës, por nivelet e varfërisë ishin ndjeshëm më të larta ndërmjet personave jo aktivë. Nivelet e inaktivitetit u rritën me më shumë se dyfish nga 15 për qind e popullsisë në vitin 2008 deri në 38 për qind në vitin 2013. Ulja ishte më e madhe, ishte ndërmjet femrave të reja (15- 34 vjeç), që shënuan një ulje prej rreth 7 për qind në pjesëmarrjen në tregun e punës në periudhën 2007-2010.

INVALIDËT
Individët që jetojnë në familje në të cilat kryefamiljarët janë aktivë (të punësuar ose të vetëpunësuar), ose në pension, kanë më pak të ngjarë të jenë të varfër sesa individët që jetojnë në familje në të cilat kryefamiljarët janë të papunë ose inaktivë (shih Figurën 1 më poshtë). Ndërmjet familjeve në fundin e 40 përqindëshit, për shembull, 20 për qind e anëtarëve në moshë pune ishin të papunë, 24 për qind jashtë krahut të punës, krahasuar me përkatësisht 13 për qind dhe 15 për qind të 60 përqindëshit të sipërm të të ardhurave (60%-shi i sipërm).
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: