TIRANE- Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prezantoi sot Raportin e Tranzicionit për vitet 2015-2016. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u ndal në ecurinë e ekonomisë së vendit, duke theksuar kontributin e BERZH në procesin e tranzicionit.

“Raporti i Tranzicionit zë një vend primar në listën e analizave profesionale që iu bëhen ekonomive të rajonit dhe më gjerë. Ky raport vjetor është shumë më tepër se një pasqyrë përmbledhëse e situatës ekonomike dhe financiare aktuale. Ai ofron një udhërrëfyes koherent për formatimin e axhendës së zhvillimit të vendeve në tranzicion, duke nënvizuar problemet strukturore të rritjes dhe dobësitë makro e mikroekonomike të këtyre vendeve.”- tha Sejko, duke shtuar se temat e këtij raporti përkojnë me sfidat që vijon të përballet Shqipëria.

Guvernatori Sejko tha se po bëhen përpjekje për nxitjen e kreditimit, por nga ana tjetër u shpreh se, kriza ekonomike ndikoi në ngadalësimin e ritmeve të investimeve.

Duke u ndalur tek ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë viteve të tranzicionit, Sejko tha se ajo ka ecur me ritme mjaft të ulëta. Guvernatori i BSh-së, theksoi ndër të tjera se prioritet i punës së tij është nxitja e investimeve.

Më pas, Guvernatori bëri një përmbledhje të shkurtër të pozicionit të Shqipërisë përballë sfidave kryesore të trajtuara në Raportin e sivjetshëm të Tranzicionit.

Raporti i Tranzicionit dhe mesazhet kryesore të tij për vitin aktual

Raporti i Tranzicionit zë një vend primar në listën e analizave profesionale që iu bëhen ekonomive të rajonit dhe më gjerë. Ky raport vjetor është shumë më tepër se një pasqyrë përmbledhëse e situatës ekonomike dhe financiare aktuale. Ai ofron një udhërrëfyes koherent për formatimin e axhendës së zhvillimit të vendeve në tranzicion, duke nënvizuar problemet strukturore të rritjes dhe dobësitë makro e mikroekonomike të këtyre vendeve. Për të ilustruar sa thashë më sipër, po risjell në vëmendjen tuaj se Raporti i Tranzicionit gjatë viteve të fundit është fokusuar në tema të tilla si: ndikimi në rajon i krizës financiare globale (në vitin 2011); sfidat që vijnë nga integrimi në rritje i ekonomisë botërore (në vitin 2012); arsyet e tranzicionit të zgjatur (në vitin 2013); dhe, problemet që sjell inovacioni teknologjik e financiar për vendet në zhvillim (në vitin 2014). Të gjitha këto tema kanë përkuar plotësisht me sfidat me të cilat është përballur dhe vazhdon të përballet Shqipëria.

Tema kryesore e Raportit të sivjetshëm ka të bëjë me nevojën për krijimin e një modeli të ri financimi për vendet në tranzicion. Ky konkluzion buron natyrshëm nga konteksti i zhvillimeve ekonomike dhe financiare në to. Edhe pse kanë kaluar shtatë vjet nga fillimi i krizës, ekonomitë në tranzicion vazhdojnë të karakterizohen nga ritme të zbehta rritjeje. Ashtu si dhe në eksperiencat e kaluara, rikuperimi ekonomik frenohet pjesërisht nga dobësitë ciklike dhe pjesërisht nga problemet strukturore të sektorit real. Por, në ndryshim nga eksperiencat e kaluara, rikuperimi ekonomik pas krizës së fundit financiare është penguar e vazhdon të pengohet dhe nga ecuria e dobët e kreditit bankar dhe mungesa e alternativave të financimit.

Në mënyrë të përmbledhur, Raporti vë në dukje se niveli i zhvillimit dhe diversifikimit të sistemeve tona financiare nuk i përgjigjet sa dhe si duhet nevojave që kemi për investim. Për një sërë arsyesh, kjo mospërputhje ka ardhur duke u forcuar në periudhën pas krizës dhe, nëse nuk trajtohet me përparësi, ajo mund të përbëjë një pengesë serioze në rrugën tonë të zhvillimit. Raporti vazhdon më tej me propozime konkrete për zgjidhjen e këtij ngërçi. Këto propozime synojnë jo vetëm zgjerimin e mëtejshëm të sistemit financiar, por edhe përmirësime cilësore në mënyrën e funksionimit të tij.

Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të vazhdueshme problemeve të kreditimit. Në konferencën tonë të fundit vjetore, ne patëm një diskutim të gjerë të mangësive që shfaq modeli i financimit të ekonomisë shqiptare. Nuk mund dhe nuk dëshiroj të pretendoj se Banka e Shqipërisë i ka të gjitha përgjigjet dhe se ajo disponon të gjitha instrumentet për zgjidhjen e tyre. Por, ajo që mund të them është se, Banka e Shqipërisë ka një diagnostikim të mirë të situatës dhe është duke bërë përpjekjet maksimale për nxitjen e kreditimit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar.

Më lejoni në vazhdim të bëj një përmbledhje të shkurtër të pozicionit të Shqipërisë përballë sfidave kryesore të trajtuara në Raportin e sivjetshëm të Tranzicionit.

Sfidat e zhvillimit të sistemit financiar në Shqipëri

Raporti sugjeron se vendet në tranzicion kanë pasur një ngadalësim të dukshëm të ritmit të investimeve. Ky ngadalësim nuk justifikohet nga faktorët ciklikë apo fondamentalë, dhe është i dëmshëm për rritjen afatgjatë të këtyre ekonomive.

Banka e Shqipërisë ka theksuar në vazhdimësi se kriza ekonomike dhe financiare botërore la gjurmë në zhvillimin e vendit. Një ndër efektet e spikatura të saj, ka qenë dhe ngadalësimi i ritmit të investimeve, nga një mesatare prej rreth 36% të PBB-së në dekadën para krizës në një mesatare prej rreth 28% të PBB-së në vitet pasuese. Një pjesë e këtij ngadalësimi i dedikohet reduktimit të investimit në ndërtesa rezidenciale, çka përbën një korrektim të natyrshëm të rritjes së shpejtë të shfaqur në këtë segment në periudhën para krizës. Por, paralelisht me të, pjesa tjetër e këtij ngadalësimi i dedikohet reduktimit të investimeve në makineri, pajisje dhe infrastrukturë, çka ndikon negativisht potencialin e zhvillimit të vendit. Sipas disa vlerësimeve, niveli i stokut të kapitalit për banor në Shqipëri është sa rreth 40% e nivelit mesatar të këtij treguesi për Eurozonën. Ky nivel kapitali është natyrisht i pamjaftueshëm për të mbështetur konvergjencën e standardit të jetesës me vendet në fjalë. Për këtë arsye, nxitja e investimeve dhe zgjerimi i ritmeve të rritjes potenciale duhet të jenë prioritete konstante të punës sonë.

Sipas Raportit, rritja e investimeve në vendet në tranzicion vazhdon të frenohet nga mungesa e burimeve të financimit. Në veçanti, oferta për kredi bankare shfaqet e reduktuar, si pasojë e ndryshimeve strukturore të sektorit bankar evropian, por edhe si pasojë e problemeve të trashëguara në sistemet financiare të vendeve në tranzicion.

Në përgjithësi, ekonomitë e rajonit kanë sisteme financiare të dominuara nga sektori bankar. Kjo strukturë financiare ndihmoi kanalizimin e kursimeve të huaja në kredi lokale, por ky proces u shoqërua me një shkallë të lartë euroizimi në periudhën para krizës dhe me rritje të shpejtë të kredive me probleme në periudhën pas saj. Oferta e kredisë u tkurr ndjeshëm në periudhën pas krizës. Grupet bankare evropiane patën vështirësi financiare dhe tërhoqën fondet nga një pjesë e madhe e vendeve në tranzicion. Në të njëjtën kohë, ambienti i ri rregullator në Bashkimin Evropian, niveli i lartë i euroizimit dhe rritja e shpejtë e kredive me probleme, dëmtuan bilancet e sektorit real dhe financiar të ekonomisë.

Ecuria e sistemit financiar në Shqipëri ka një sërë paralelesh me ecurinë e sistemit financiar në vendet e rajonit. Sektori bankar është aktori kryesor i sistemit financiar i cili ka në pronësi të tij mbi 90% të aktiveve financiare totale. Kredia bankare pati një rritje të shpejtë në harkun kohor 2004-2008, duke kaluar nga niveli 8% në nivelin 35% të PBB-së. Periudha pasuese shfaqi një ngadalësim të dukshëm të ritmit të rritjes së kredisë dhe raporti i saj ndaj PBB-së qëndron aktualisht rreth nivelit 36%. Po kështu, kreditimi në Shqipëri pati tendenca të forta euroizimi në periudhën para krizës, ku afërisht tre nga katër kredi ishin në valutë, ndërkohë që kjo tendencë ka shfaqur një përmirësim të dukshëm në periudhën vijuese ku raporti i kredisë në lekë ndaj totalit arriti rreth nivelit 40%. Së fundi, trajektorja e kredive me probleme ka pasur një ecuri të ngjashme me vendet e rajonit. Periudha pas krizës u shoqërua me një rritje të shpejtë të këtyre kredive; raporti i tyre ndaj kredisë totale kulmoi rreth nivelit 25% në vitin 2014 dhe ka ndjekur më pas një tendencë të qartë rënëse.

Nga ana tjetër, sistemi financiar në Shqipëri ka dhe specifikat e veta. Një tipar pozitiv që vlen të përmendet është fakti se aktiviteti i sektorit bankar në Shqipëri bazohet në burimet e brendshme të financimit. Aktualisht, raporti i kredive ndaj depozitave luhatet rreth nivelit 50% dhe sektori bankar karakterizohet nga një situatë e lartë likuiditeti, sidomos në valutë. Ky tipar ka mbrojtur Shqipërinë nga luhatjet e flukseve financiare botërore. Në ndryshim nga shumë vende të rajonit, tërheqja e fondeve bankare nga Shqipëria ishte sporadike dhe relativisht e kufizuar. Po kështu, niveli i lartë i investimeve në vend është mbështetur në një masë të konsiderueshme nga investimet e huaja direkte. Në periudhën pas krizës, këto investime janë luhatur rreth nivelit 8% të PBB-së dhe kanë përbërë një amortizues të ndjeshëm të ngadalësimit të kredisë bankare.

Së fundi, Raporti i Tranzicionit paraqet disa sugjerime konkrete për ristrukturimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar. Ndër të tjera, ky sistem duhet të diversifikohet më tej në terma të segmenteve dhe produkteve të tij, si dhe duhet të bazohet më shumë në kursimet e brendshme. Gjithashtu, sektori bankar dhe bizneset duhet të tregohen më racionalë në strategjitë e tyre financiare.

Natyrisht që këto sugjerime përbëjnë edhe kontributin më të rëndësishëm të këtij Raporti. Duke mos dashur t’i paraprij këtij diskutimi, dëshiroj të theksoj se Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për rritjen e kursimeve të brendshme si: reformën e sistemit të pensioneve; reformën e sektorit energjetik e shoqëruar me uljen e subvencioneve të tij fiskale, dhe rikthimin në një trajektore rënëse të borxhit publik. Po kështu, si autoritet monetar dhe institucion mbikëqyrës e rregullator i sistemit bankar, Banka e Shqipërisë ka marrë hapa konkretë për nxitjen e kërkesës dhe ofertës për kredi. Këto masa kanë synuar uljen e kostos së financimit, trajtimin e kredive me probleme, prezantimin e normave më të kujdesshme mbikëqyrëse ndaj kreditimit në valutë dhe nxitjen e ristrukturimit të kredive. Gjithashtu, ne ju kemi tërhequr vëmendjen bankave dhe bizneseve se strategjitë e tyre të biznesit duhet të jenë më racionale dhe më largpamëse.

Nga ana tjetër, segmenti i tregjeve kapitale vazhdon të mbetet i paeksploruar. Zhvillimi i këtij segmenti, në nivel lokal por edhe rajonal, vazhdon të frenohet nga mungesa e ekspertizës dhe e kulturës financiare, nga standardet jo të mjaftueshme të transparencës dhe të mirëqeverisjes së bizneseve. Tregjet kapitale mund të ofrojnë një platformë alternative për financimin e projekteve të biznesit, aq më tepër nëse këto tregje do të arrinin të tërhiqnin interesin e aktorëve të mëdhenj të tregut financiar botëror.

BERZH-i dhe tranzicioni shqiptar

Përtej funksionit konsultativ që parashtrova më sipër, BERZH-i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë. Sipas të dhënave të fundit, BERZH-i ka investuar në ekonominë shqiptare rreth 940 milionë euro nëpërmjet 70 projekteve, në fusha të tilla si: infrastruktura (me rreth 34% të totalit); energjia (me rreth 28%); zhvillimi i infrastrukturës financiare (me rreth 23%); si dhe projekte të ndryshme në fushën e industrisë, tregtisë dhe agrobiznesit (me rreth 15%). Përfitues të këtyre projekteve kanë qenë si sektori publik ashtu edhe ai privat. Në veçanti, dëshiroj të nënvizoj se linja e garancisë që kjo bankë i ka ofruar Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në Shqipëri përbën një rrjetë shtesë sigurie për gjithë sistemin tonë financiar dhe ka ndihmuar së tepërmi në funksionimin normal të tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb