Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Në tremujorin e dytë të këtij viti kanë hyrë në ekonominë shqiptare 360 milionë euro. Dy zërat që kanë injektuar më shumë para në ekonomi janë remitancat dhe investimet e huaja direkte.

Të dhënat janë bërë të ditura në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, ku mësohet se dërgesat nga emigrantët në periudhën prill-maj-qershor janë rritur me 17.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që prej fillimit të krizës, në zonën euro remitancat kishin shënuar ulje të vazhdueshme, ndërkohë që ky është i dyti tremujor radhazi që dërgesat e emigrantëve u kthehen ritmeve pozitive.

Remitancat
Sipas Bankës, edhe dërgesat e emigrantëve shënuan rritje dyshifrore, me 17.6 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Më konkretisht, për periudhën prill-qershor dërgesat e emigrantëve ishin 162.5 milionë euro, nga 138.1 milionë që ishin një vit më parë. Sipas raportit të Bankës Qendrore, mësohet se të paktën për gjashtë muajt e parë të vitit dërgesat nuk janë goditur nga përshkallëzimi i krizës greke, edhe pse ajo e shënoi kulmin pas fundit të qershorit, kur Greqia mbylli bankat.

Të dhënat tregojnë se në total si gjashtëmujor, të ardhurat që emigrantët kanë dërguar pranë familjeve të tyre ishin 305 milionë euro, ose rreth 48.5 milionë euro më shumë se gjysma e parë e vitit të kaluar. Pas disa vitesh rënie, trendi i dërgesave të emigrantëve u rikthye në territor pozitiv gjysmën e dytë të vitit të kaluar, i ndikuar ndoshta edhe nga përmirësimi i situatës ekonomike në Eurozonë.

Investimet
Investimet e huaja direkte u rritën me 36 për qind në tremujorin e dytë të vitit, duke arritur në 198 milionë euro, nga 145 milionë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2014. Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, mësohet se ky është tremujori i dytë me radhë që investimet e kompanive të huaja në ekonominë shqiptare shënojnë rritje të fortë në rend dyshifror. Sipas shifrave, në total si 6-mujor investimet e huaja këtë vit janë 31.5 për qind më të larta se gjysma e parë e vitit të kaluar.

E shprehur në vlerë, rritja është 115 milionë euro. Në raportin analitik të bilancit të pagesave, Banka e Shqipërisë thotë se prurjet më të mëdha në formën e investimeve direkte në Shqipëri vijnë nga sektori i hidrokarbureve. Sipas të dhënave, në gjysmën e parë të vitit investimet në këtë sektor ishin rreth 226 milionë euro, ose sa 47 për qind e totalit. Në vend të dytë vjen sektori bankar dhe ai i telekomunikacionit, që përfaqësojnë përkatësisht 10 dhe 3 për qind të flukseve hyrëse të investimeve që vijnë nga jashtë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për zhvillimet e sektorit të jashtëm të ekonomisë, tregojnë se tremujori i dytë nuk ka qenë pozitiv vetëm për investimet e huaja.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: