Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Bankat shqiptare janë kthyer një burim financimi për bizneset e huaja. Ndonëse nuk është një fenomen i ri, sistemi bankar në vend ka shtuar kredidhënien për bizneset e huaja, kryesisht në vendet e rajonit.

Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, mbi stabilitetin financiar, në gjysmën e parë të 2015-ës, kredia që ka shkuar jashtë Shqipërisë është rritur në 58 miliardë lekë, pothuajse dyfishi i kredisë së dhënë ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ajo që bie në sy në këtë raport është ndryshimi i raportit të kredisë biznes i huaj, biznes vendas, ku ky i fundit ka shënuar një ulje të ndjeshme të kërkesës.

Gjatë kësaj periudhe Banka e Shqipërisë konstaton një tkurrje të kërkesës për kredi nga sipërmarrjet vendase. Në vrojtimin e posaçëm të këtij institucioni mbi gjendjen financiare të biznesit vendas, për gjashtëmujorin e parë të vitit, vërehet se ndërmarrjet paraqesin një përkeqësim të situatës së shitjeve dhe fitimit për të gjithë sektorët.

Kërkesa e ndërmarrjeve për hua paraqitet në rënie, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe shërbimeve. Madje gati gjysma e biznesit të anketuar deklaron se nuk planifikon të marrë një kredi të re as për periudhën e ardhshme, duke e lidhur këtë edhe me pamundësinë për të paguar huatë. Stepja e marrjes së kredive nga ana e biznesit ka sjellë sinjale ngadalësimi edhe për zgjerimin e aktivitetit të tyre.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: