Nga: ERJOLA JATA*
TIRANË- Ashtu siç ishte paralajmëruar, Banka e Shqipërisë i qëndron idesë se kriza në shtetin grek do të ketë efekte në ngadalësimin e rritjes ekonomike në vendin tonë, e për këtë Banka e Shqipërisë ka bërë një vlerësim paraprak dhe parashikon që efekti të jetë 0.25%, ky ngadalësim do të vijë si efekt i remitancave dhe shkëmbimeve tregtare.

Një tjetër faktor që është lakuar se do të kishte efekt në shifrën finale të rritjes së GDP-së ishte ajo e përmbytjeve në jug të vendit por duket se pak muaj pas kësaj Banka e Shqipërisë ka ndryshuar vlerësim duke e konsideruar këtë efekt të shuar. Referuar të dhënave të INSTAT, bujqësia ka pasur një ecuri shumë më të mirë sesa pritej si përsa i përket prodhimit ashtu edhe eksporteve.

Në raportin e fundit të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë del në përfundimin se ka edhe një rënie të konsumit privat e një ndër arsyet e kësaj rënie lidhet me pagesën e faturave të energjisë elektrike. Aksioni i fundit i qeverisë “Rama” duket se ka dhënë efekt duke çuar konsumatorët tek arkat e OSHEE-së por njëkohësisht kanë ulur shpenzimet për konsumin e përditshëm. Pavarësisht kësaj Banka e Shqipërisë pret përmirësim të situatës madje për të mbajtur kushte të favorshme për bizneset dhe individët pritet që norma e interesit të vazhdojë të jetë e njëjtë në nivelin 2 % të paktën edhe për gjashtë mujorin e parë të vitit 2016.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: