TIRANE- Ambasada Amerikane ka reaguar sot në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit se një deputet i Kuvendit të Shqipërisë është dënuar për trafikimin të qenieve njerëzore. Në një deklaratë drejtuar mediave, ambasada e ka cilësuar të turpshëm faktin se një deputet është dënuar për një akuzë të tillë.


“Në vijim të interesimit nga media për Raportin e Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Personave për 2015, Ambasada e SHBA dëshiron të vërë në dukje se raporti vlerëson se Qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikut.”, citohet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.


Nga ana tjetër ajo ka nxitur qeverinë shqiptare që të vazhdojë në rrugën e nisur, atë të luftës kundër korrupsionit.


“Ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve. Në të njëjtën kohë, Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarde të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë.”, përfundon reagimin e saj Ambasada Amerikane.

Ditën e djeshme DASH publikoi një raport vjetor për trafikun e qenieve njerëzore, ku Shqipëria cilësohet si vend burimi dhe destinacion për trafikimin e burrave, grave dhe fëmijëve. Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar. Sipas DASH, “gratë shqiptare dhe fëmijët i nënshtrohen trafikimit seksual në Shqipëri, në vendet fqinje si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Greqi, si dhe në vendet europiane dhe viktima të huaja dhe shqiptare i nënshtrohen punës së detyruar në industrinë e turizmit”, thuhet në raport, ku ndër të tjera tërhiqet vëmendja se një numër i madh fëmijësh shqiptarë, shpesh me origjine rome detyrohen të lypin në rrugë.

Disa vajza shqiptare i nënshtrohen trafikimit seksual ose punës së detyruar pas martesave me mblesëri- thekson raporti, i cili përqendrohet edhe tek klandestinët, për të cilët thotë se një numër i madh emigrantësh të paligjshëm nga Afrika dhe Siria kalojnë tranzit në Shqipëri për të arritur në Evropën Perëndimore. Duke u ndalur këtu, në raport përmendet edhe një deputet i parlamentit shqiptar i cili ka patur dënime të mëparshme për krime të lidhura me trafikimin.
(ed.me/BalkanWeb)

Etiketa: