TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha nga një tryezë me gazetarët të organizuar për problemet e mediave në Shqipëri ka komentuar edhe raportin e DASH për Shqipërinë.


Basha tha se është një raport shkatërrimtar për gjendjen e krimit, të drogë, korrupsionit e të kapjes së shtetit në Shqipëri. Duke kujtuar shprehjen e kryeministrit, kreu i PD tha se Rama do i kishte quajtur ‘kadrinjtë e DASH’.

“Të shikojmë raportin e sotëm të DASH. Është një raport shkatërrimtar për Shqipërinë për gjendjen e krimit, të drogës, të pastrimit të parasë, të korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes, të kapjes së shtetit. Natyrisht me siguri kryeministrit do thotë që janë kadrinjtë e DASH që e bëjnë këtë punë, sepse nuk presim përgjigje thelbësore aq sa ka dhënë përgjigje thelbësore në ato raste të investigimit apo të ngritjes së problemeve nga media, aq presim që të japë përgjigje sot qeveria”, deklaroi Basha.


Por ai tha se është shqetësues fakti se sa pak hulumtime ka bërë bërë media shqiptare për problemet që evidentohen nga ky raport në Shqipëri.
“Me siguri dhe këtë do t’ua atribuojë kadrinjve të DASH, por përtej gjuhës së rënduar dhe psikozës së rënduar të të parit të qeverisë, problemi që dua të ngre është sa hulumtime ka bërë media për këto probleme që ngre raporti i DASH. Sa hulumtime ka bërë media jonë për këtë problem. Kanë ardhur gazetarë italianë, francezë, amerikanë, sapo kisha një intervistë me një freelance të Zërit të Amerikës por në Shqipëri në 6 vjet mund të kemi pasur gjithsej 2-3 investigime të drogës. Të krimit pothuajse fare. Të korrupsionit shumë pak. Madje sot më shumë rol në hetimin e këtyre problemeve që ka ngritur me forcë DASH në raportin e tij të publikuar dje, rol më të madh kanë luajtur media të vogla, portale online se sa media të rëndësishme dhe të fuqishme kombëtare”, u shpreh Basha.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai kujtoi më tej se 10 vite më parë, kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, ishte ministër i Jashtëm, ndërsa sot tha se raporti i DASH tregon se Shqipëria është kthyer në një vend bazë të krimit.
“Nuk mundem të mos e them me një trishtim të madh në zemër, 10 vite më parë në këtë javë unë isha ministër i jashtëm dhe po bëheshim gati për samitin e NATO-s ku më 7 prill përfundoi procesi i anëtarësimit si anëtar i denjë i vendit tonë në Aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake që ka njohur bota. Ishte qeveria amerikane aleatja jonë më e fuqishme në këtë arritje historike. Për ironi të fatit, 10 vjet më pas, pikërisht në javën e përkujtimit të kësaj ngjarjeje madhore raporti i DASH tregon se Shqipëria është kthyer në një vend ku nuk ka siguri, por lulëzon krimi, droga, pastrimi i parave, korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe është kthyer nga një vend bazë sigurie për vendet e tjera, në një bazë të krimit të organizuar që vepron nga Amerika e Veriut dhe Europë deri në Lindjen e Mesme e mbyll citimin e raportit të DASH”, u shpreh Basha.

Kreu i PD tha më tej se është gati të bashkëpunojë me mediat për të shpëtuar shtetin e së drejtës.
“Unë jam me stilolaps në dorë për t’ju dëgjuar, për të mbajtur shënim, për të kontribuuar në këtë tryezë të dytë, në këtë hapësirë bashkëbisedimi që shpresoj do kthehet edhe në një hapësirë bashkëveprimi për ta shpëtuar demokracinë shqiptare, për ta shpëtuar shtetin e së drejtës dhe për të rinisur e çuar deri në fund rrugëtimin e vendit tonë drejt standardeve e normave të BE dhe të hapësirë euroatlantike që janë dhe synimi i përbashkët kombëtar i çdo shqiptari dhe objekti më kryesor i PD-së dhe opozitës shqiptare”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)