Banka Botërore ‘nxin’ Shqipërinë sa i takon lehtësisë së të bërit biznes. Sipas raportit më prestigjioz të BB në nivel global “Doing Business”, Shqipëria ka pësuar rënie drastike me 19 vende nga viti i kaluar.

Në raportin e sapo publikuar për 2020-ën, Shqipëria renditet e 82-ta ndër 190 ekonomi të botës, në vendin e tretë nga fundi në Europë dhe më mirë vetëm se Malta dhe Bosnje Hercegovina.

Një vit më parë, Shqipëria mbante vendin e 63-të, pra për një vit ka humbur 19 pozicione, rënia e dytë më e madhe në historinë e këtij indikatori, pas vitit 2013.

Kështu performanca e Shqipërisë në të bërit biznes rikthehet pranë nivelit të viteve 2011/2012. Banka Botërore evidenton faktin se reformat në Shqipëri e kanë bërë më të lehtë që të merresh me biznes gjatë vitit të fundit, por nga ana tjetër janë ndryshimet e shpeshta ato që e vështirësojnë punën e sipërmarrjes.

Performanca më e dobët për ekonominë shqiptare vjen në drejtim të lejeve të ndërtimit, që na rendit në vendin e 166-të në botë, nga vendi i 151-të i një viti më parë, apo vendi i 106-të i 2017-ës. Përkeqësimi drastik në renditje duket se vjen kryesisht nga nën-indikatori i mbrojtjes së investitorëve të minoritetit.

Në këtë indikator kemi zbritur nga kreu i tabelës, pasi vjet ishim në vendin e 26-të në botë, në fund të saj, në të 111-tin sot. Edhe indikatori tjetër, ai i kontratave, ka pësuar një përkeqësim drastik.

Ai i pagesës së taksave na rendit në vendin e 123-të në botë, ndërsa ai i hapjes së një biznesi në vendin e 53-të nga vendi i 50-të një vit më parë. Indikatroi i vetëm në përmirësim është ai i marrjes së elektricitetit, nga vendi i 140-të në të 107-tin.

Pra, ndër 10 indikatorë vetëm një është përmirësuar, ndërkohë që disa kanë pësuar rënie drastike, ç’ka e ka bërë për rrjedhojë Shqipërinë bindshëm më pak tërheqëse për ata që duan të merren me biznes, e sidomos të huajt, pasi për Bankën Botërore vështirësitë janë të shumta, e madje shumë më të mëdha se vitet e kaluara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb