Parlamenti Europian ka diskutuar sot raportin e Knut Fleckenstein për Shqipërinë, në të cilin theksohet se vendi duhet të shpejtojë me përgatitjen për reformën në drejtësi.

Parlamenti Europian mirëpret progresin e Shqipërisë në reformat në prioritetet kyçe ndërsa bëhet thirrje që forcat politike të kontribuojnë për dialog konstruktiv. “Bashkëpunimi politik është thelbësor për procesin e reformave. Përgëzojmë forcat politike për miratimin e ligjit të dekriminalizimit. Mirëpresim angazhimin e Shqipërisë për reformën në drejtësi. Nxisim vendosmërinë për të vazhduar shpejt përgatitjet për këtë reformë”,- thuhet në raportin e Fleckenstein.

Sipas Parlamentit Europian, autoritetet duhet të përmirësojnë rezultatet e hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimet në gjithë nivelet. Të miratohet një ligj për mbrojtjen e informatorëve. Ndër të tjera Parlamenti Europian kërkon që të nxitet besimi i qytetarëve dhe biznesit në sistemin gjyqësor dhe të adresohen çështje si politizimi i gjyqësorit, korrupsioni, procedurat e gjata etj.

“Mirëpresim punën e komisionit Ad Hoc parlamentar për reformën në drejtësi. Palët të arrijnë kompromis mbi ndryshimet thelbësore në sistemin gjyqësor. Reforma në gjyqësor të sigurojë paanshmëri të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese”,- thuhet ndër të tjera në raport.

Edhe kësaj here Parlamenti Europian shpreh shqetësim për korrupsionin e përhapur në arsim, shëndetësi, prokurime, në fushën e ndërtimit dhe planfikimeve.

PE kërkon të zhvillohet bashkëpunimi mes prokurorëve dhe policisë ndërsa mbështet krijimin e komisionit Ad Hoc për reformën zgjedhore. Gjithashtu, nënvizohet se duhet të bëhen më shumë përpjekje për të frenuar azilkërkuesit, ndërsa mirëpritet angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër radikalizmit dhe terrorizimit islamik.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: