TIRANE– Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i publikuar një ditë më parë, për konkluzionet dhe rekomandimet mbi ekonominë e Shqipërisë, ka ngjallur jo pak debat. Pika më e komentuar e këtij raporti ishte qëndrimi i FMN-së disi skeptik për PPP-të, Partneritetin Publik Privat, duke u shprehur se “përbëjnë rrezik domethënës fiskal për financat e vendit”.

Lidhur me këtë konkluzion dhe qëndrim të FMN-së, analisti Andi Bushati tha në rubrikën “Opinion” në “News24”, se kjo pikë e kritikuar nga Fondi, përbën thelbin e aksionit ekonomik të kryeministrit Rama.

Sipas Bushatit, FMN i sheh PPP-të si rrezik për borxh të ri, i cili mund të dëmtojë ekonominë e vendit.

Ai shton se kryeministri Rama e ka të vështirë të tërhiqet nga Partneriteti Publik Privat, pasi sipas tij “e pengojnë lidhjet me oligarkët”.

“Shqetësim përbën thelbi i aksionit ekonomik të Ramës, koncesionet apo PPP-të (Partneritetin Publik Privat), dhe FMN për këtë i thotë kujdes se është alarm, është një borxh i ri. Kjo qeveri po i jep çdo ditë pushtet sektorit privat. FMN ngre shqetësimin se Qeveria po e zhyt vendin në borxhe, dhe po krijon borxhe që do të duhet t’i paguajnë fëmijët nesër. Ky mund të rrezikojë falimentin, pasi bëhet fjalë për një borxh të fshehur.

Mendoj se qeveria është futur aq thellë në këto politika ekonomike, aq sa e ka të vështirë të tërhiqet. Ndaj përfaqësuesit e FMN u larguan dhe u detyruan të lëshojnë këtë “bombë”. Lidhjet e Ramës me oligarkët e kanë detyruar të kalojë në këtë PPP, dhe e ka të vështirë të tërhiqet, duke shkuar drejt projektit 1 miliardë. Rritja ekonomike që thotë Rama nuk arrihet me projektin 1 miliardë, por duke parë sesi mund të qeveriset në të mirë të qytetarit, dhe jo të oligarkut”, u shpreh analisti Andi Bushati.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb