PRISHTINE – Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House”, Kosova ka shënuar përparim, duke u përfshirë për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale. Kosova konsiderohet si një nga vendet me përparim më të madh për zhvillimet e vitit të kaluar. Ajo për herë të parë është futur mes vendeve të konsideruara “demokraci elektorale”, falë vlerësimeve për procesin zgjedhor dhe të drejtave politike. Të drejtat politike kanë marrë notën 4 nga 5 për vitin e kaluar, falë zgjedhjeve relativisht të suksesshme të qershorit dhe marrëveshjes politike për qeverinë e koalicionit. Për liritë civile, vlerësimi ka qenë i pandryshuar në 4. “Freedom House” thotë se 2014-ta shënoi një kulmim të prirjeve pozitive dhe se përveç zgjedhjeve organizata vërejti edhe përmirësimin në pluralizmin politik, marrëdhëniet partiake dhe përgjegjshmërisë së qeverisë. “Freedom House” thotë se vlerëson faktin që PDK-ja bashkëpunoi, që udhëheqësi i opozitës u bë kryeministër dhe që qeveria po e shton transparencën ndaj publikut.
Në shkallë globale, “Freedom House” vlerëson se në vitin 2014 liria ka rënë për të 9-in vit me radhë, për shkak të taktikave agresive nga regjimet aurtoritare dhe shtimit të sulmeve terroriste. Raporti i “Freedom House” shqyrton gjendjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Raporti citon ndërhyrjen ruse në Ukrainë, dhe zhvillimet në Egjipt, Turqi dhe Kinë si shembuj. Por “Freedom House” tërheq vëmendjen se demokracitë shpesh presin deri kur prirjet autoritare të kthehen në katastrofë ndërkombëtare para se të ndërhyjnë dhe kjo sipas kësaj organizate është për të ardhur keq sepse edhe regjimet më shtypëse kanë treguar se përgjigjen para presionit të popullit të tyre dhe atij nga jashtë.
(er.nu/voa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb