Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar pas raportit të Guardia di Finanza duke publikuar të tjera të dhëna, që sipas tij tregojnë qartë luftën e Policisë së Shtetit me kanabisin.

Tahiri thotë se të dhënat e Guardia di Finanza janë për ata që kanë sy e veshë, e duke iu referuar raportit deklaron se këtë vit Policia ka arritur të zbulojë më shumë hapësirë të kultivuar sesa vjet duke shkatërruar 99.8% të hapësirës së kultivuar.

Ministri i Brendshëm vë përballë rezultatet e raportit për punën e policisë në vitin 2012, me 0% sipërfaqe dhe në 2013 me 7.5% sipërfaqe me kanabis e shkatërruar.

Tahiri thotë më tej se Shqipëria kishe një problem të pazgjidhur me kultivimin, kur ‘Saliu, Luli dhe Muli ishin në qeveri’, ndërsa tani po merr zgjidhje përfundimtare ky problem.

“Për ata që kanë sy e vesh, më poshtë të dhënat zyrtare të Guardia di Finanza dhe Policisë së Shtetit. Me shqip:
1. Sipërfaqja e monitoruar në 2016 është 506 hektarë, prej të cilave 213 të kultivuara me kanabis. Në 2013, sipërfaqja e monitoruar ishte 361 hektar, prej të cilave 323 hektarë të kultivuara (nga të cilat 319 ishin në Lazarat).
Pra sipërfaqja është më e vogël se 2013, edhe pse siç shihet, në 2013 i gjithë monitorimi fokusohej në Lazarat.
2. Orët e monitorimit janë 18% më shumë se vjet dhe thuajse 50% më shumë se 2013.
3. Gjeografia e fluturimeve, në të gjithë vendin pa asnjë limit.
4. Kjo është arsyeja pse në 2016 kemi arritur të zbulojmë më shumë hapësirë të kultivuar sesa vjet. Dhe ky nuk është shenjë dështimi, por shenjë e qartë e punës për të identifikuar dhe shkatërruar çdo parcelë.
5. Në 2016 policia shkatërron 99.8% të hapësirës së kultivuar. Në 2012 shkatërronte 0% dhe në 2013 shkatërronte 7.5%. Kush është narkotrafikanti?!?! Qeveria e lidhur me bandat e drogës kush është?!?!
6. 19% e sasisë së shkatërruar është kubike, pra që në fazën paraprake, që tregon aktivitetin masiv të policisë për të parandaluar këtë fenomen.
GdF e deklaroi shumë-shumë saktë: bashkëpunimin e shkëlqyer me Policinë Shqiptare, rezultatet shumë pozitive dhe vazhdimin e përbashkët të kësaj lufte në të ardhmen.
Saliu, Luli dhe Muli, kanë të drejtën e tyre të hedhin baltë, siç kanë bërë gjithmonë, por sot është e qartë se Shqipëria dje kishe një problem të pazgjidhur me kultivimin, kur ata ishin në qeveri. Ndërsa sot, Shqipëria ka një problem që po merr zgjidhje përfundimtare. Dallimi është shume i madh!”, shkruan Tahiri.
Raporti i GDF

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: