TIRANE- Vitin e kaluar janë ev identuar rreth 35 për qind më shumë krime krahasuar me vitin 2013. Sipas raportit të INSTAT-it, në vitin 2014 janë evidentuar në total 26 910 krime, ku rënie kanë pësuar vetëm krimet ndaj personit. “Krahasuar me vitin 2010, në vitin 2014 veprat, si: krimet e drogës dhe krimet për pastrimin e produkteve kanë pësuar rritje të ndjeshme, përkatësisht me rreth dyfish më shumë krime të evidentuara për drogën dhe rreth 4 herë më shumë krime për pastrimin e produkteve”, thuhet në raportin e INSTAT-it, të publikuar vetëm pak ditë më parë.

Për vitin e kaluar kemi edhe një rritje të numrit të raportimeve të dhunës në familje, ku për çdo vit numrin më të madh të personave të dhunuar e zënë femrat. “Të dhënat për dhunën në familje ndër vite na tregojnë për një rritje të numrit të raportimeve të dhunës në familje. Në vitin 2014 kemi 4.121 raportime të dhunës në familje, rreth 36% më shumë krahasuar me vitin 2010. Për secilin vit përqindjen më të madhe të të dhunuarve e zënë femrat e dhunuara. Në vitin 2014, femrat zënë 75% të totalit të personave të dhunuar”, citohet në raport.

Veç kësaj, sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me vitin 2010, për vitin e kaluar kemi 86 për qind më shumë femra të dhunuara, ndërsa të miturit zënë vetëm 5,2% të totalit të dhunimeve. Raporti flet edhe për numrin e të burgosurve, duke theksuar se vitin e kaluar numëroheshin 5.453 të burgosur, ndërsa në vitin 2010 numëroheshin 4.603, duke shënuar kështu një rritje prej 18,5%.

“Numri më i lartë i të burgosurve shënohet për veprat vjedhje, vrasje dhe për krimet e drogës. Përqindjen më të madhe të të burgosurve e zënë personat e dënuar për vjedhje me 27,3%”, citohet në raport.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb