E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ardita Kolmarku, menaxhere projektesh, Komiteti Shqiptar i Helsinkit foli për raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ku “çalon” vendi ynë dhe rekomandimet që duhet të përmbushen në disa fusha.
“Në raport flitet për strategji të mëdha të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do vihet në zbatim, por në këndvështrimin tonë harta e re gjyqësore mbetet një shqetësim për faktin se ka pasur një proces konsultimi formal me ne si organizata të shoqërisë civile. Kriteret e përcaktuara nuk kanë pasur në konsideratë disa nga elementët kryesorë që duhet të përshtateshin me kushtet e vendit tonë, si kushtet e transportit që mund të sjellin pasoja ekonomiko-financiare në dëm të disa prej kategorive të marxhinalizuara të shoqërisë, por kryesisht edhe të zonave rurale. Një ndër elementët që nuk është mbajtur në konsideratë është që nuk kemi kapacitete të sigurisë në shoqërimin e këtyre shtetasve drejt gjykatave, vetë distanca kohore është e largët në hartën e re gjyqësore, nisur nga disa prej institucioneve të vendit”.
“Janë nisur nga modele të demokracive më të moderuara të vendeve europiane, që kanë një sistem drejtësie efektiv dhe më të shëndetshëm se vendi ynë. Vettingu, raporti adresoi një rekomandim të qartë edhe ndaj institucioneve të vettingut dhe SPAK. Nga një proces monitorimi, kemi parë se nga 268 subjekte që janë shkarkuar apo dorëhequr nga vendimmarrjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) shohim se vetëm për 8.5% të këtyre rasteve janë regjistruar procedimet penale në Prokurori”.
“Ajo që mbetet shqetësuese është se gjithsej kemi 23 raste, në 20 prej tyre janë kallëzime të shtetasve që luajnë rolin e denoncuesit dhe vetëm në 2 raste SPAK ka marrë hetimin e këtyre rasteve dhe vetëm 1 rast është adresuar nga vendimmarrjet e vettingut. Po ashtu, shumica e fakteve janë sjellë edhe nga ana e vëzhguesve ndërkombëtar, bëhet fjalë nga kontakte të papërshtatshme të këtyre subjekteve me botën e krimit apo kriterit të pasurisë. Gjithashtu edhe në rastin e fundit me rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve, vunë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve. Deri më sot nuk kemi një zbardhje të kësaj ngjarje apo persona të vënë para përgjegjësisë. Në kontekstin e informimit dhe mbrojtjes së të dhënave raporti adreson disa rekomandime, po ashtu edhe në aspektin e drejtësisë rekomandimet mbeten të njëjta”-tha Kolmarku.