Komisioni Europian dha dritën jeshile, duke rekomanduar sërish çeljen e bisedimeve për anëtarësim sa më shpejt për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioneri Johanes Hahn publikoi progres-raportin, pjesë e Paketës së Zgjerimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit europian.

Në raport pasqyrohet ecuria e Shqipërisë në përmbushjen e reformave të vendosura si kusht nga BE-ja, duke u ndalur tek kriteri politik, administrata publike, sistemi juridik, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar, të drejtat themelore, kriteri ekonomik, fqinjësia e mirë, aftësia për të marrë detyrimet e anëtarësimit si edhe emigrimi.

“Shqipëria ka çuar përpara me reformat, veçanërisht një transformim të madh të sistemit të drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Maqedonia e Veriut jo vetëm që vijon reformat e saj ambicioze, por arriti dhe një marrëveshje historike me Greqinë, duke zgjidhur problemin e gjatë të emrit. Kjo marrëveshje, së bashku me atë të arritur me Bullgarinë, është një shembull për forcimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, është një shembull i shkëlqyer për vendet e tjera, dhe dëshmon fuqinë tërheqëse të perspektivës europiane”, tha sot Hahn.

Komisioneri Hahn deklaroi se të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, vecanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në qershor 2018. “Për këtë arsye Komisioni Europian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Që të mbetet i besueshëm, Bashkimi europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe t’u përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre”, tha sot Hahn.

Duke u ndalur konkretisht tek kriteri politik, në raport thuhet se Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në axhendën e reformave, por sa i përket qëndrimit të opozitës për djegien e mandateve, në raport thuhet se veprimtaria parlamentare u prek nga bojkoti i zgjatur duke përmendur dhe djegien e mandatave nga deputetët e opozitës.

“Polarizimi i fortë vazhdoi edhe në sferën politike. Veprimtaritë parlamentare u prekën nga një bojkot i zgjatur nga partitë e opozitës, të cilat pastaj i dogjën edhe mandatet e tyre parlamentare në shkurt të 2019-ës. Më shumë se gjysma e mandateve të pacenuara parlamentare tani janë ricaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kuorumi për funksionimin e plotë të Parlamentit po mbahet”, thuhet në raport.

Më tej flitet dhe për vendimin e opozitës për të mos u regjistruar në zgjedhjet vendore. “Partitë kryesore të opozitës vendosën të mos regjistrohen për zgjedhjet lokale, të cilat planifikohen të bëhen më 30 qershor 2019. Largimi i partive kryesore të opozitës ka ndikuar negativisht përpjekjet për reformën zgjedhore, pavarësisht nga përpjekjet e mazhorancës për të vazhduar përpara. Partitë e opozitës, shumica prej të cilave hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare në shkurt të vitit 2019, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të angazhohen për një konsensus të gjerë evropian”, thuhet në raport.

Pjese Nga Raporti
Pjese Nga Raporti

Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioni vëren se “kanë vijuar përpjekje të vendosura, përfshirë luftën kundër trafikimit të drogës dhe kultivimit, duke kontribuar në krijimin e një baze të qëndrueshme të dhënash në hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime. Vitet e fundit, Shqipëria tregoi në vijim, një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit”. Po ashtu vlerësohet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë shqiptare, veçanërisht me Shtetet anëtare të BE-së, i cili “është intensifikuar, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në masë të madhe dhe arrestimin dhe ndjekjen penale të krerëve të organizuar kriminalë”.

Por sipas Komisionit “krijimi i një regjistri të qëndrueshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë afatgjatë që vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme të përforcuara dhe të qëndrueshme nga Shqipëria, duke përfshirë bashkëpunimin operacional me Shtetet Anëtare të BE.

Në vlerësimin e tij ndërsa thekson se “në dritën e progresit të arritur dhe kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Komisioni rekomandon që Këshilli të hap tani bisedimet e anëtarësimi me Shqipërinë”, duke nënvizuar se “për të mbështetur momentin e vijueshmërisë së reformave, Komisioni do të zbatonte një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend. Shqipëria duhet të vijojë të rregjistrojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin mbizotërues të integrimit në BE, tejkalimi i polarizimit aktual dhe demonstrimi i vullnetit politik që shkon përtej ndarjeve mes partive, është gjithashtu i nevojshëm për të mbështetur dhe konsoliduar përparimin e bërë nga vendi”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb