TIRANE- Ish-deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi përmes një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ka reaguar lidhur me rekomandimin pozitiv që mori Shqipëria për çeljen e negociatave me BE. Demokrati thekson se sot nuk është dita për të rrahur gjoksin, ndërsa shtoi se më afër Europës do të ketë më pak paudhësi të tjera ballkanike.

Ai shtoi se “Europa nuk ka nevojë për dashurinë tonë, njësoj si mësuesit, që i intereson vetëm përgatitja në provim e nxënësve të vet dhe jo ndjenjat e tyre, të cilat mund të jenë edhe të shtirura”.
Patozi pohoi se kjo duhet të jetë një ditë reflektimi dhe jo për fishekzjarrë. “Ndaj ata, që po rreken të rrahin gjoksin për këtë ngjarje, sa të mezipritur, po aq edhe të vonuar, do t’i këshilloja ta marrin me të qetë dhe t’i kursejnë autolëvdatat dhe fishekzjarret. Por le të jetë kjo një ditë reflektimi të thellë, për të gjitha arsyet që na bënë të humbasim kaq shumë kohë, si e vetmja mënyrë për të mbajtur ritmin e udhëtimit tonë final drejt Brukselit.”, shkruan Patozi.

REAGIMI I PATOZIT
SOT NUK ËSHTË DITA PËR TË RRAHUR GJOKSIN
Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, duke shpresuar deri në fund se do të kapërcehet me sukses edhe ky stacion i rendësishëm për integrimin tonë në Bashkimin Europian.
Kur më shumë se afrimit të Europës duhet t’i gezohemi faktit që do te jemi më të monitoruar prej saj.
Që do të thotë një premisë serioze se do të ketë më pak hapësirë për paudhësi të tjera ballkanike, si ato që kanë shoqëruar të gjithë tranzicionin tonë ekstremisht të vështirë.
Sot nuk ka nevojë për garë se kush e do më shumë Bashkimin Europian apo kush ka kontribuar më shumë për procesin.

Europa nuk ka nevojë për dashurinë tonë, njësoj si mësuesit, që i intereson vetëm përgatitja në provim e nxënësve të vet dhe jo ndjenjat e tyre, të cilat mund të jenë edhe të shtirura.
Ndaj ata, që po rreken të rrahin gjoksin për këtë ngjarje, sa të mezipritur, po aq edhe
të vonuar, do t’i këshilloja ta marrin me të qetë dhe t’i kursejnë autolëvdatat dhe fishekzjarret.
Por le të jetë kjo një ditë reflektimi të thellë, për të gjitha arsyet që na bënë të humbasim kaq shumë kohë, si e vetmja mënyrë për të mbajtur ritmin e udhëtimit tonë final drejt Brukselit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: